Kovaçevski: Në samitin e BE-së dëshmuam se dimë të mbrojmë interesin shtetëror pa ofenduar askënd

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski në seancën e Kuvendit tha se qytetarët dhe shteti kanë një qeveri të përgjegjshme, e cila kujdeset për interesat kombëtare, qëllimet strategjike dhe nevojat ekonomike të qytetarëve, ndaj nuk është nevoja për zgjedhje të parakoshme parlamentare.

“Nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Aktualisht kemi një Qeveri që kujdeset për interesat kombëtare dhe dinjitetin e të gjithë qytetarëve, pavarësisht prejardhjes së tyre etnike, fetare apo kombëtare. Kemi qeveri e cila vendos në prioritet interesat kombëtare, në përputhje me vendimet dhe rezolutat e miratuara këtu në Kuvend, përfaqësuar nga të gjithë anëtarët e Qeverisë, pavarësisht nëse janë maqedonas, shqiptarë, turq apo të ndonjë kombësie tjetër. Kjo u konfirmua javën e kaluar kur në mënyrë parimore i shprehëm qëndrimet tona para aleatëve tanë në BE dhe më gjerë”, tha Kovaçevski.

Ai ka bërë një krahasim me sjelljen e opozitës, të cilën e ka vlerësuar si të papërgjegjshme.

“Në Kongresin e Partive Popullore Evropiane është miratuar një rezolutë në të cilën janë inkorporuar kërkesat për mohimin e kontinuitetit kombëtar dhe historik të maqedonasve dhe në atë rezolutë ka marrë pjesë një delegacion i lartë i VMRO-DPMNE-së. Konferencë për media të opozitës nuk kemi parë askund, do të mbahet mend”, tha kryeministri Kovaçevski.

Ai tha se “është e lehtë për dikë që të mbrojë interesat kombëtare këtu, në shtëpi, por kur interesat kombëtare duhet të mbrohen para 27 vendeve, atëherë është e vështirë për dikë dhe dikush duhet ta bëjë këtë si unë kryeministri apo presidenti i vendit, partnerët e koalicionit dhe qytetarët e shtetit, dhe jemi të lumtur që ne e bëmë, pavarësisht përkatësisë sonë etnike, ne ditëm të mbrojmë pasurinë kombëtare, fetare apo etnike. Gjithmonë njeriu ka nderin ta mbrojë vlerën e shtetit të tij para të tjerëve, këtë herë më ka takuar mua si nder dhe jam krenar që të gjithë qëndruam bashkë dhe thamë atë që kishim për të thënë, duke mos sharë askënd as brenda dhe as jashtë vendit”, shtoi Kovaçevski.

Lidhur me propozimin francez të miratuar nga kuvendi bullgar, Maqedonia ende nuk ka arritur në nje pikë të përbashkët rreth çështjeve të hapura mes dy vendeve.