Kovaçevski: Me Bullgarinë kemi bashkëpunim të shkëlqyer, por gjithmonë ka individë që duan t’i përkeqësojnë marrëdhëniet

Bashkëpunimi me Bullgarinë është përmirësuar sidomos pas ardhjes së dy qeverive të reja dhe vendosjes së një rruge të re komunikimi, tha sot kryeministri Dimitar Kovaçevski, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Kur të ketë një dokument të pranueshëm për të dyja palët, do të ndahet me institucionet dhe opinionin”, tha kryeministri Kovaçevski.

Ai theksoi se gjithmonë ka individë që duan t’i përkeqësojnë ato marrëdhënie, por qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe ajo bullgare janë kundër dhe mendojnë se bashkëpunimi duhet të jetë në të gjitha fushat dhe në çdo sferë.

“Kemi hapur një proces të ri bisedimesh me Bullgarinë, një mënyrë të re komunikimi që duhet të rrisë besimin jo vetëm mes ministrave, por edhe ndërmjet shoqërive në tërësi. Janë formuar grupet e punës që tashmë po japin rezultate, janë mbajtur konferenca shkencore mes universiteteve, janë takuar Odat Ekonomike, janë rritur kuotat e transportit. Gjithmonë ka individë që duan t’i përkeqësojnë këto marrëdhënie, por ne dhe qeveria bullgare jemi kundër. Duhet të bashkëpunojmë në të gjitha fushat”, tha Kryeministri.