Kovaçevski: Alarmet për bomba në Maqedoni, pjesë e luftës hibride të Rusisë

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot deklaroi se denoncimet për bomba në Maqedoninë e Veriut por edhe në rajon janë pjesë e luftës hibride të Rusisë, pas agresionit rus ndaj Ukrainës, përcjell TV21. Kovaçevski tha se institucionet tona janë në kontakt të vazhdueshëm me aleatët e NATO-s për kërcënimet e këtilla dhe se po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme të sigurisë.

“Shikoni, Evropa është në luftë! Në Ukrainë ndodh konflikti më i madh ushtarak pas Luftës së Dytë Botërore, i shihni fotografitë, e shihni se pas Mariopulit çfarë po ndodh edhe me një qytet tjetër në Ukrainë, me agresioni rus nuk po kursehen edhe shtetet tjera, me këtë se ka edhe mënyra tjera hibride me të cilat udhëhiqet kjo luftë kushtimisht thënë, këto sulme, respektivisht këto denoncime të rreme për bomba janë pjesë e kësaj, nuk po ndodhin vetëm te ne, ja edhe vetë e thatë që po ndodh edhe në Kroaci”, tha Kovaçevski./tv21.tv