Kosovë,13 viktima dhe 225 raste të reja me koronavirus

Institucionet shëndetësore në Kosovë kanë njoftuar të martën se janë regjistruar edhe 13 raste të vdekjeve nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 269. Një ditë më herët, ky numër ka qenë 256.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit, nga 477 mostra të testuara, janë regjistruar edhe 225 raste të të infektuarve, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 9.274.

Rastet e para në Kosovë,me koronavirusin e ri, janë paraqitur në muajin mars.

Deri më tani janë shëruar 201 pacientë, ndërsa raste aktive janë 3.815.

Gjatë javëve të fundit është shënuar rritje e numrit të rasteve të të infektuarve dhe atyre që kanë humbur betejën me sëmundjen.

Me koronavirusin e ri janë infektuar edhe zyrtarë të lartë shtetërorë dhe politikë përfshirë, kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, zëvëndëskryeministrin, Driton Selmanaj, dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Nga sëmundja është shëruar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Edhe një numër i deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjatë periudhës së fundit kanë njoftuar se janë infektuar me koronavirusin e ri.

Të hënën, Policia e Kosovës njoftoi se gjatë 24-orëve të fundit 58 persona nuk kanë respektuar masat e vendosura nga qeveria, që kanë për qëllim frenimin e përhapjes së mëtejmë të koronavirusit.

Rastet e mosrespektimit të masave, sipas raportit 24-orësh të policisë kanë ndodhur në Podujevë, Ferizaj, Prizren, Malishevë dhe Vushtrri.

Sipas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës, të datës 28 korrik, qytetarët obligohen të mbajnë maska, të respektojnë distancën dhe të mbajnë higjienën personale.

Po ashtu, lokalet e gastronomisë në Kosovë, sipas vendimit të qeverisë, të datës 28 korrik, e kanë të ndaluar veprimtarinë nga ora 22:30 deri në orën 05:00.

Loading...