Kosovë, sërish alarm në Stacionin e Autobusëve, policia s’gjen asgjë të dyshimtë

Policia e Kosovës edhe këtë të mërkurë ka pranuar thirrje për vendosjen e një mjeti shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

Policia ka ndërmarrë masat e sigurisë në atë zonë, duke evakuuar qytetarët teksa nuk ka gjetur asgjë të dyshtimë, njofton Klankosova.tv.

Rastin për Klankosova.tv e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinë, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 08:30, kemi pranuar një telefonatë anonime, përmes së cilës një person ka deklaruar se ka vendosur mjete shpërthyese në Stacionin e Autobusëve, në Prishtinë. Menjëherë policia ka ndërrmarë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës”.

“Informata është trajtuar nga ana e policisë. Pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjetë asgjë e dyshimtë. Njësitet policore janë tërheq nga ajo zonë, ndërkohë që hetuesit kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast” tha Ahmeti.

Kujtojmë se edhe ditë më parë ka ndodhur një rast i ngjashëm, ku një qytetar ka telefonuar policinë dhe ka deklaruar se ka lënë një mjet shpërthyer në stacion.

Por njësoj si ky rast edhe ai pati rezultuar të jetë alarm i rrejshëm, pasi policia nuk gjeti asnjë mjet shpërthyer.