Sot bëhen 23 vjet që kur trupat e NATO-s filluan bombardimet ndaj Serbisë, caqeve të saja ushtarake përfshirë të forcave serbe në Kosovë për t’i dhënë fund masakrave dhe gjenocidit ndaj shqiptarëve të pafajshëm të Kosovës.
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, erdhi pas shumë vrasjeve dhe masakrave që militantët dhe paramilitarët serbë i kryen ndaj civilëve shqiptarë, nga vitit 1998 deri në qershor të vitit 1999.
Ishte politika largpamëse dhe e jashtëzakonshme e presidentit Rugova, që për gati 10 vite, nga viti 1989, e kishte sensibilizuar opinionin botëror për të drejtat e shqiptarëve, dhe pushtimin klasik dhe të dhunshëm të Kosovës.
Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas marrëveshjes së Kumanovës me 9 qershor, ndërmjet zyrtarëve ushtarak serbë dhe autoriteteve të NATO-s, këto të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson, i cili do të komandonte me trupat e KFOR-it në Kosovë.
Me këtë marrëveshje, Serbia ishte detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saja policore dhe ushtarake nga Kosova.
23 vite pas, Ukraina po përballet me një luftë mizore nga Rusia, e cila nuk po kursen asgjë për të arritur qëllimet e saj, pushtimin e shtetit ukrainas.
Për dallim, që në Kosovë ndërhyri NATO-ja, në Ukrainë një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende, pasi situata mes Rusisë dhe Amerikës është më e ndërlikuar.
Madje, mund të themi se si një nga arsyet e fillimit të luftës në Ukrainë, erdhi si pasojë e synimit për të hyrë në NATO, gjë të cilën diktatura ruse, dhe autokrati Putin, po përpiqen që ta ndalojnë me çdo kusht, shteti 12 mban të pushtuara 17 milionë km katrorë.
Presidenti rus, Vladimir Putin po i frikësohet zgjerimit të NATO-s, pasi fuqia e shtetit të tij dhe ushtrimi i fuqisë së tij politike vetëm sa po zbehet.
Për të folur në lidhje me përvjetorin e 23 të ndërhyrjes së NATO-s në luftën në Kosovë dhe ngjashmërinë e luftës Kosovë-Serbi dhe Ukrainë-Rusi për gazetën “Bota sot” folën analisti politik, njëherësh gazetari që raportoi për luftën në Kosovë, Rexhep Shahu dhe ish-deputeti i LDK-së, Fetah Rudi.
Shahu: Shqiptarët me luftën e Amerikës e NATO-s janë populli i zgjedhur dhe popull me fat
Lidhur me përvjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, 24 mars 1999, në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli analisti politik, Rexhep Shahu.
Sipas tij, Kosova është shteti më me fat në botë, pasi Amerika e shpëtoi atë nga zhbërja pas një lufte të madhe speciale.
“Kosova është vendi e shteti më me fat në planet pasi banorët e saj i shpëtoi nga zhbërja Amerika e NATO-ja me luftën ajrore që nisi me 24 mars 1999 dhe vazhdoi 78 ditë e netë. Lufta më speciale në botë, luftë për të shpëtuar dy milionë shqiptarë nga zhbërja e zhdukja”, deklaroi ai.
Ndërsa, sa i përket krahasimit të luftës së Kosovës me luftën që po bëhet tani në Ukrainë Shahu tha se nuk ka asnjë ngjashmëri, pasi atje nuk ka ndërhyrë NATO-ja, kurse në Kosovë po.
“Lufta e NATO-s për Kosovën nuk ka të krahasuar me asgjë e me askënd. Sot po luftohet në Ukrainë nga populli ukrainas kundër pushtuesit rus. Një ndryshim mes ukrainasve dhe shqiptarëve është se atje nuk po ndërhyn NATO-ja, në Kosovë luftoi NATO-ja, Ukraina është mbi 40 milionë banorë, Kosova ishte dy milionë banorë”, theksoi analisti.
Më tej, ai potencoi se për dallim që Kosova gjatë kohës së luftës nuk kishte ushtri, Ukraina ka shumë armë dhe një ushtri shumë të madhe dhe profesioniste.
“Ukraina është shtet me ushtri të madhe profesioniste, Kosova nuk kishte ushtri, UÇK filloi të krijohej si ushtri guerile dhe nuk kishte armë as fuqi të ndeshej me Serbinë dhe ta mbronte popullsinë civile në Kosovë, ndaj hyri NATO-ja. Ukraina ka ushtri e fuqi ta mbrojë veten, por një e veçantë e mrekullueshme atje është se po luftojnë me shumicë gra të Ukrainës”, vlerësoi Shahu.
Ndër të tjera, analisti thotë se shqiptarët janë populli më me fat që kanë aletë Amerikën e NATO-n, kontributi i tyre nuk duhet harruar dhe duhet t’i jemi mirënjohës gjithë jetën.
“Shqiptarët me luftën e Amerikës e NATO-s janë populli i zgjedhur dhe popull me fat. Mirënjohja është detyrë e jona dhe renditja e kontribuuesve nuk duhet harruar, Kosovën e ka çliruar gjaku i derdhur i shqiptarëve në dekada, Amerika, NATO-ja, dhe UÇK që me veprimet e saj e ndaluan dhunën serbe”, përfundoi Rexhep Shahu për “Bota sot”.
Rudi: Ukraina është shtet i pavarur qe një kohë të gjatë, ne nuk ishim shtet, por luftuam për shtet
ImageIsh-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fetah RudiFOTO GALERI
Kurse, ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fetah Rudi në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, para 23 viteve ishte e pashmangshme.
Fillimisht, ai tha se ndërhyrja e NATO-s në luftën në Kosovë erdhi si pasojë e vrasjeve dhe masakrave të shumta që i bën militantët serbë ndaj qytetarëve tanë.
“Në përvjetorin e 23 të ndërhyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë apo më mirë të themi bombardimet e forcave serbe në Kosovë dhe në Serbi, u bë pas gjithë asaj dhune, vrasjeve e masakrave që bënë forcat dhe militarët serb, ku ndërhyrja ishte e pashmangshme për të ndalur gjenocidin serb”, deklaroi ish-deputeti.
Krahas kësaj, Rudi vlerësoi se ndërhyrja e NATO-s ishte e nevojshme, ku një gjë e tillë iu kërkua edhe nga presidenti Ibrahim Rugova dhe institucionet e Kosovës.
“Vlerësimi i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë ishte i qëlluar dhe i nevojshëm, ngase ishte edhe kërkesë e institucioneve të Kosovës, përkatësisht e Presidentit Rugova, ku edhe nga kthimi nga Rambuje kërkoi intervenimin e NATO-s ndaj forcave serbe dhe sot Kosova është e lirë dhe shtet i pavarur”, nënvizoi ai.
Në vazhdim, ish-deputeti i LDK-së potenco se lufta në Kosovë dallonte nga lufta që po zhvillohet në Ukrainë, pasi situatat ishin të ndryshme, ukrainasit janë shtet i pavarur, ne nuk kishim shtet.
“Krahasimi i luftës në Ukrainë me luftën në Kosovë nuk është edhe që qëndron, pasi janë situata krejtësisht të ndryshme. Ukraina është shtet i pavarur qe një kohë të gjatë, ne nuk ishim shtet, por luftuam për shtet.
Por, mund të them që në bazë të asaj që po shohim në media, në Ukrainë po shihet një qëndrueshmëri e popullit të Ukrainës me luftu dhe mos me lëshu vendin”, theksoi Rudi.
Krejt në fund, ai tha se populli shqiptar arriti të çlirohet nga pushtuesi serb, fal miqësisë që krijoi presidenti Rugova, gjë që e solli ndërhyrjen e NATO-s.
“Edhe lufta jonë ishte çlirimtare dhe e shenjtë, edhe pse ndodhen shumë masakra e dëbim i popullatës me dhunë, Kosova arriti të çlirohet nga pushtuesi serb, fal miqësisë që krijoi presidenti Rugova, gjë që e solli ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, bashkë me luftën e shenjtë të UÇK-së”, përmbylli Fetah Rudi për “Bota sot”.