Kosova regjistron dy viktima dhe 2,707 raste të reja me virus

Në Kosovë janë regjistruar dy viktima dhe 2,707 raste të reja me koronavirus, njoftoi Ministria e Shëndetësisë më 25 janar.

Rastet e reja dolën pas testimit të 11,144 mostrave. Nga kjo shifër i bie se 24.29 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë për sëmundjen COVID-19.

Në njoftimin e MSH-së, që i referohet të dhënave të 24 orëve paraprake, bëhet e ditur se janë shëruar edhe 556 pacientë.

Në Kosovë, aktualisht janë 21,668 raste aktive me koronavirus.

Në 24 orët paraprake, autoritetet shëndetësore kanë administruar edhe 6,492 doza të vaksinës kundër koronavirusit. Deri më tani, të vaksinuar plotësisht, me dy doza të vaksinës janë 802,301 persona.

Në Kosovë, të gjithë personat nga mosha 12-vjeçare mund të vaksinohen kundër koronavirusit. Dozën përforcuese dhe atë të tretë mund ta marrin të gjithë personat mbi 18 vjeç që janë imunizuar me dy doza para tre muajsh.