Kosova regjistron 11 viktima dhe 364 raste me koronavirus

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka regjistruar të dielën në Kosovë 11 viktima me koronavirus.

“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 2 raste (80, 68 vjeç), Vushtrri 2 raste (78, 65 vjeç), Ferizaj 1 rast (71 vjeç), Gjakovë 1 rast (72 vjeç), Klinë 1 rast (81 vjeç), Lipjan 1 rast (70 vjeç), Mitrovicë 1 rast (72 vjeç), Prizren 1 rast (77 vjeç), Rahovec 1 rast (67 vjeç)”, është thënë në njoftim.

Sipas këtij institucioni, në 24 orët e fundit janë regjistruar 364 raste të infektimit me këtë virus, pas testimit të 3,501 mostrave.

Kjo nënkupton që 10.3 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë.

IKSHPK-ja ka njoftuar se më 18 prill janë shëruar 529 pacientë nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, derisa raste aktive janë 12,433.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 101,517 pacientë me këtë virus.

Prej tyre 2,072 kanë vdekur.

Kosova ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit më 29 mars, pas sigurimit të 24,000 dozave të vaksinës AstraZeneca, përmes programit COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

Ky vend është thënë se do të pranojë edhe 76,800 doza tjera të vaksinës së AstraZeneca nga ky program në periudhën prill-qershor, ashtu sikurse mbi 100,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, deri në fund të qershorit.