Kosova për herë të dytë zgjedh një grua për presidente

Kosova, për herë të dytë zgjedh një grua në krye të shtetit. Vjosa Osmani-Sadriu u zgjodh të dielën presidente e Kosovës pasi pro kandidaturës së saj votuan 71 deputetë të Kuvendit të Kosovës, në roundin e tretë të votimit.

Këtë pozitë në vitet 2011-2016 e kishte mbajtur, Atifete Jahjaga.

Osmani-Sadriu kishte kundërkandidat Nasuf Bejtën, i cili nuk mori asnjë votë, ndërsa 11 vota u shpallën të pavlefshme. Në procesin e votimit morën pjesë 82 deputetë. Që të dy ishin propozuar nga Lëvizja “Vetëvendosje”, parti kjo e cila me fitoren e Osmani-Sadriu, siguron udhëheqjen e tri institucioneve kryesore të vendit, Qeverisë me kryeministër, kreun e partisë, Albin Kurti dhe Glauk Konjufcën, i cili është kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Të pranishëm në seancën për zgjedhjen e presidentit ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joserbe.

Po ashtu e pranishme në seancë ishte edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Adelina Grainca dhe Albena Reshitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Deputetët tjerë të këtyre dy partive nuk morën pjesë në seancë, sikurse nuk ishin të pranishëm as deputetët e Listes Serbe.

Zyrtarët e PDK-së dhe AAK-së kanë kundërshtuar zgjedhjen e Osmani-Sadriut duke thënë se ajo nuk është një figurë unifikuese.

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë./REL