Kosova në Spanjë, sot nis misioni për ndeshjen e vështirë

Spanja nuk ka bindur me paraqitje në dy ndeshjet e javës së kaluar. Barazoi 1:1 në shtëpi me Greqinë dhe fitoi 2:1 ndaj Gjeorgjisë, me gol në kohën shtesë. Më 17 nëntor të vitit të kaluar Spanja kishte fituar 6:0 ndaj Gjermanisë. Gjasat që spanjollët të luajnë rresht tri ndeshje të dobëta nuk vlerësohen të mëdha. Kështu që Kosovën të mërkurën e pret ndeshje shumë e vështirë. Kosova ka dëshpëruar me paraqitje ndaj Suedisë, të dielën, dhe tani e pret një ndeshje me kundërshtar dukshëm më të madh

E hëna ishte e rezervuar për udhëtim për Përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Nuk ka pasur stërvitje në Prishtinë, ku Përfaqësuesja ishte paradite, e as në Sevilla të Spanjës, ku lojtarët e Kosovës u vendosën pasdite.

Kështu që misioni për ndeshjen shumë të vështirë ndaj Spanjës fillon të martën (sot). Kosova në Sevilla do të ketë vetëm një stërvitje, në stadiumin ku do të luhet ndeshja, atë “Estadio de la Cartuja”.

Ndeshja Spanjë – Kosovë luhet të mërkurën nga ora 20:45. I takon Grupit B të eliminatoreve evropiane për botërorin “Katari 2022”.

Spanja e Kosova takohen për herë të parë. Dhe natyrisht Spanja është favorite e madhe. Ndeshjen e fundit që e ka luajtur në Sevilla, Spanja e ka fituar 6:0. Madje ndaj Gjermanisë së fuqishme, më 17 nëntor të vitit të kaluar.

Në dy ndeshjet e para kualifikuese për Botëror, Spanja përballë kishte rivalë dukshëm më të vegjël. Por ka hequr shumë më tepër se ndaj Gjermanisë. Më 25 mars ndaj Greqisë në Granada, luajti vetëm 1:1. Ndërkohë të dielën fitoi 2:1 ndaj Gjeorgjisë në Tbilisi. Spanjollët u desh të ktheheshin nga disavantazhi, kurse golin e fitores e shënuan vetëm në minutën e 92-të, në kohën shtesë.

Ka pak gjasa që një superfuqi e futbollit si Spanja të ketë tri ndeshje të dobëta rresht. Kështu që ka rrezik që ndaj Kosovës spanjollët të mundohen të shfaqin gjithë potencialin që kanë. Dhe në një ditë të mirë të spanjollëve, sfida për Kosovën do të ishte shumë e madhe.

Kosova, njëjtë si Spanja, nuk po kalon momentin më të mirë. Të dielën mbrëma “dardanët” pësuan 3:0 nga Suedia në “Fadil Vokrri”. Kosova ka shfaqur pak në pjesën e parë e thuajse asgjë në të dytën. Dhe suedezët morën fitore të madhe që i dërgoi në vendin e parë në grup. Suedia pritet ta sfidojë Spanjën për vendin e parë në grupin B, ndërsa Kosovës i mbetet të zhvillojë garë të fortë me Greqinë e Gjeorgjinë për pozitat tjera. Vendi i parë ofron biletën për në Botëror, ndërsa i dyti dërgon në barazh. Aktualisht Kosova është e fundit në grup.

FFK-ja ka dhënë një informatë për udhëtimin në Spanjë pa shumë detaje. Nuk është njoftuar për gjendjen e ekipit e po ashtu për mungesa të tjera eventuale.

“Ekspedita e Kombëtares së Kosovës ka mbërritur në Sevilla dhe është akomoduar në hotel ‘Melia’. Ekspeditën e ‘Dardanëve’ në aeroportin e Sevillas e kanë pritur zyrtarët e Federatës Spanjolle të Futbollit, të cilët i kanë dëshiruar mirëseardhje dhe qëndrim të këndshëm në Spanjë. ‘Dardanët’ nesër do ta mbajnë stërvitjen në ‘Estadio La Cartuja de Sevilla’ në orën 18:00, aty ku të mërkurën do të përballen me Kombëtaren e Spanjës, në ndeshjen e dytë të kualifikimeve për botërorin ‘Katari 2022’”, ka njoftuar FFK-ja.

Pas ndeshjes me Suedinë ka pasur të tillë te Kosova që janë shprehur optimist të mëdhenj, duke theksuar se në Spanjë udhëtojnë për fitore. Por gjasat për një fitore vlerësohen fare të vogla. Edhe barazimi do të ishte rezultat shumë i madh për Kosovën.

Selektori i Spanjës, Luis Enrique, është shprehur të dielën i brengosur për gjendjen e ekipit të tij në prag të ndeshjen me Kosovën.

“Jam shumë i brengosur për ndeshjen me Kosovën. Duhet të fitojmë me zemër, me kokë, me çka do. Rivalët nuk dhurojnë asgjë dhe ata kanë kualitet. Ne po vuajmë më së shumti ndaj këtyre ekipeve të nivelit të dytë. Por unë kam besim në ekip”, ka thënë Enrique, ndër të tjera.

Sikur të mos mjaftonte superioriteti në cilësi i Spanjës, Kosovës i mungojnë lojtarë të rëndësishëm. Aro Muriq është larguar nga grumbullimi për shkak të thyerjes së rregullave disiplinore. Amir Rrahmani e Valon Berisha janë të lënduar, ndërsa Bernard Berisha u përjashtua me të kuq të dielën ndaj Suedisë. Dhe paraqitja ndaj Suedisë nuk lë shumë vend për optimizëm.

“Pas dy ndeshjeve të dobëta, pres që Spanja këtë herë t’i tregojë dhëmbët. Shpresoj që Kosova do të ketë paraqitje të mirë, por do të jetë shumë vështirë. Pres që Spanja me shumë seriozitet ta përgatitë ndeshjen me Kosovën. Është fat i keq që ndeshjen e dytë e kemi menjëherë me Spanjën. Për më tepër në Spanjë. Por shpresoj që nuk do të pësojmë humbje të thellë dhe do të mbahemi mirë”, ka thënë Milaim Rama, ish-futbollisti i njohur kosovar.

Ndeshja me Spanjën e ka edhe anën politike, që po vlerësohet shumë e rëndësishme. Spanja nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe ka pasur përpjekje për trajtim diskriminues ndaj saj. Dhe ende paraqitja e Kosovës nuk bëhet si e përfaqësueseve të tjera.