Kosova ende pa Ligj të lustracionit, pjesë të institucioneve persona me të kaluar të dyshimtë

Ligji i lustracionit, ose i njohur ndryshe si i pastrimit të figurave, shihet si domosdoshmëri në Kosovë. Njohës të fushës së drejtësisë në vend thonë se ende mund të gjenden persona që sot mbajnë pozita në institucione, por që në kohën e okupimit kanë ushtruar funksione dhe kanë zbatuar ligje diskriminuese ndaj shqiptarëve të Kosovës. Një ligj i tillë nuk është në agjendën legjislative të ekzekutivit, por Ministria e Drejtësisë pret që për një ligj të tillë te këtë iniciativë edhe nga grupet e tjera parlamentare.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një prononcim për KosovaPress, deklaroi se Ligji i lustracionit është shumë i rëndësishëm për Kosovën për të hequr dyshimet se persona me të kaluar të dyshimtë janë pjesë e institucioneve të Republikës.

“Unë besoj që në rrethana të tilla lustracioni është një ligj i rëndësishëm në Republikën e Kosovës në kuptimin që kemi shumë individë të cilët konsiderojnë që janë të instaluar në institucione mirëpo që konsiderohet se kanë të kaluar të dyshimtë dhe do të ishte shumë e vlefshme që Kuvendi i Republikës së Kosovës, deputetët e ndonjë grupi parlamentar, ose të gjitha grupet parlamentare, të ndërmerrnin një iniciativë të tillë. Në një nga legjislaturat e Kuvendit ka pasur një përpjekje të tillë për një ligj të lustracionit mirëpo për shkak të zgjedhjeve të reja dhe shpërndarjes së Kuvendit kjo u bë e pamundur, mirëpo Kuvendi në secilin moment ka mundësi ta bëjë një gjë të tillë, komisionet përkatëse të Kuvendit të Kosovës. Aktualisht në agjendën tonë legjislative nuk është parapa një ligj i tillë pasi që nuk e kemi pasur zotim para qytetarëve të republikës së Kosovës”, deklaroi Haxhiu për KosovaPress.