Kosova e Maqedonia Veriore diskutojnë mbi programin për bashkëpunim ndërkufitar

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale (MVL) e Maqedonisë së Veriut, sot kanë mbajtur Forumin Konsultativ IPA II, programi i bashkëpunimit ndërkufitar Kosovë – Maqedoni e Veriut. Gjatë këtij takimi u tregua se së shpejti do të lansohet edhe thirrja e ardhshme për aplikim për zonat e komunave të përfshira me vlerë prej rreth 3 milionë euro.

Aty u theksua se tematika e kësaj thirrjeje lidhet me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, mbrojtja e mjedisit, promovimi i ndryshimit të klimës menaxhimi dhe parandalimi rreziqeve.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi u shpreh se zhvillimet e fundit në botë po tregojnë nevojën për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim ndërkufitar.

Ai ka thënë se deri më tani në kuadër të këtij programi kanë financuar 14 projekte të përbashkëta, ndërsa me thirrjen e radhës presin të shtohet numri i këtyre projekteve.