Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Burimet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës kanë konfirmuar se aplikimi është gati dhe do të bëhet së shpejti, me siguri të enjten.

Mundësinë e aplikimit të Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Evropës e ka përmendur të mërkurën ne Bruksel presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, duke shtuar se me këtë, Kosova po e shkel Marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Uashingtonit.

Përpara darkës joformale të organizuar nga Shefi i Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor të mërkurën, më 11 maj, Vuçiç tha se “është e qartë se disa njerëz po punojnë për të destabilizuar të gjithë rajonin dhe Serbinë”.