Kosova afër liberalizmit të vizave / Lidhjet e ngushta të krimit me politikën, problemi

Qytetarët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë nëpër vendet e Bashkimit Evropian. Kjo pasi që duhet të kenë vizë adekuate për të hyrë në këto shtete.

Përkundër që është premtuar shumë herë liberalizimi i vizave nga zyrtarë të Bashkimit Evropian një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Një dritë e gjelbër për liberalizmin e vizave është dhënë nga Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian. Ky Komision ka miratuar raportin për adresimin e krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor dhe nevojën që BE-ja të përshpejtojë procesin e integrimit.

Shpresat për heqjen e vizave

Ky raport është miratuar me 531 vota për, 48 kundër dhe 117 abstenime.

Ndërkaq, deputetët e Parlamentit Evropian në këtë raport kanë kërkuar liberalizim të vizave nga Këshilli i BE-së për Kosovën.

“Raporti, i miratuar të mërkurën në mbrëmje me 531 vota pro, 48 kundër dhe 117 abstenime, thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë vendet e origjinës, destinacionit dhe transitit për trafikimin e qenieve njerëzore dhe ato shërbejnë si një korridor transiti për migrantët dhe refugjatët dhe si një vend për pastrim parash dhe trafik armësh.

Megjithatë, eurodeputetët theksojnë se lufta kundër krimit të organizuar dhe integrimi në BE janë procese reciproke përforcuese, duke i kërkuar BE-së të përshpejtojë procesin e integrimit. Në këtë kontekst, pasi izolimi inkurajon aktivitetet kriminale, eurodeputetët gjithashtu i bëjnë thirrje Këshillit që të miratojë liberalizimin e vizave për Kosovën pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në raport.

Por, kjo nuk mjafton që qytetarët e Kosovës të fitojnë liberalizmin e vizave. Komisioni Evropian duhet të bëjë një propozim për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Pas propozimit të Komisionit Evropian, pastaj propozimi shqyrtohet në Komisionet Parlamentare të Parlamentit Evropian. Pas shqyrtimit diskutohet në seancë plenare. Propozime mund të ketë deri në dy lexime dhe pastaj votohet. Pas votimit, Parlamenti Evropian e dërgon në Këshill të BE-së, ku do të diskutohet në formatin e Ministrave të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të të gjitha shteteve.

Por, fatkeqësisht në BE ka ende shtete, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, kjo vazhdon që të jetë pengesë për liberalizimin e vizave.

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur për miratimin e raportit për liberalizimin e vizave për Kosovën, ku ka shpjeguar se rolin substancial e ka Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian dhe vendet anëtare të Unionit.

ImageShqiprim PulaFOTO GALERI

“Miratimi i raportit mbi heqjen e regjimit të vizave apo thënë ndryshe liberalizimi i vizave për Kosovën, tregon vullnetin e radhës të shumicës së deputetëve të Parlamentit Europian, por, kjo nuk mjafton, ngaqë rolin substancial për këtë temë e ka Këshilli i Ministrave të Unionit Europian dhe vendet anëtare të Unionit veҁ-e-veҁ që duhet miratuar, sepse është gërshetim përgjegjësishë”, ka thënë ai.

Më tej, Pula ka treguar se çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës në këtë rast.

“Prandaj, Kosova, përkatësisht institucionet e saj pandalur duhet avokuar tek homologët e tyre, por edhe lobuar në Bruksel përmes kanaleve të lobimit. Meqë, ndërvitesh është ritheksuar se Kosova ka ‘përmbushur’ kriteret, atëherë një vendim mbi heqjen e regjimit të vizave ishte dashur të merrej që moti! Ndërkaq, se ҁfarë do të thotë kjo për Kosovën, është se Kosova, respektivisht zyrtarët e saj nuk duhen hapur shampanja apo edhe thënë siç e thotë një shprehje e popullit; ‘mos të bëjmë hopa pa kërcyer’”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Mungesa e guximit profesional tek gjyqësori

Gjithashtu, Pula ka thënë se Parlamenti Europian edhe njëherë e ka dëshmuar se gjykon arsyeshëm në rastin e liberalizimit të vizave.

“Në strukturën organizative të Unionit Europian, i vetmi institucion që prej vitesh ka ndjerë nevojën dhe ka gjykuar arsyeshmërinë e lëvizjes së qytetarëve është Parlamenti Europian, i cili edhe kësaj radhe e dëshmoi përmes votës shumicë. Por, ҁfarë mbetet anemike për vendin tonë, është mungesa e qasjes serioze institucionale që ka të bëj me lidhjet e ngushta të krimit ekonomik me politikën; mungesës së guximit profesional tek gjyqësori për të marr vendime mbi rastet e mëdha, të cilat kanë qenë dhe mbeten si raste të shënjestruara; politizimi i skajshëm i pozitave dhe funksioneve të caktuara institucionale si dhe vërejtje të mëdha për mediumet e caktuara që në vend të gazetarisë janë shndërruar në agjenci propagandistike. Të gjitha këto monitorohen dhe vlerësohen nga Brukseli dhe vendet anëtare të UE-së. Kështu që, vendimmarrje të mbrapshta politike, për të mos thënë vendimmarrjet aspak patriotike, të ndër-viteve, kanë krijuar zhgënjim e frustrim tek qytetarët duke i mbajtur të veҁuar në izolim, duke qenë europian, por duke mos mundur të shëtisin në Europë!”, ka deklaruar Pula.

Profesori Binak Maxharraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar veprimet e zyrtarëve të BE-së karshi Kosovës, duke thënë se kjo e fundit nuk e njeh Kosovën si shtet.

“Por, para do ditësh eurodeputetët në Parlamentin e Evropës pos që ka biseduar për problemet e Ballkanit Perëndimor për mundësinë e integrimit në BE, paska shtruar nevojën në raportin e tyre dhe për mundësinë e liberalizimit të vizave për Kosovën nga Këshilli i BE-së, pasi që qeveria Kurti II ka filluar të godet korrupsionin, por jo edhe aq fuqishëm.

ImageBinak MaxharrajFOTO GALERI

Këtu shtrohet dilema kruciale, a do hiqen më në fund vizat për Kosovën, a do të vie te liberalizimi i vizave së shpejti?!

Duke e pas parasysh sjellën edhe “jo aq miqësore të BE” ndaj Kosovës, sepse Kosova për Këshillin e BE-së shihet me një dioptri tjetër, sepse disa shtete të BE-së nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e konform kësaj as BE-ja nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, nga se ajo nuk i njeh edhe simbolet e Kosovës, ndaj të cilave rezervohet vazhdimisht. Por, edhe nga fakti se BE-ja gjatë gjithë periudhës dhjetë vjeçare të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, ia mbante anën Serbisë, bash sikur ajo të ishte viktimë, jo agresore që kishte bërë krime dhe gjenocid në Kosovë. Ajo në dialogun me Serbinë dhe Kosovën vazhdimisht ka vendos njerëz nga ato shtete që nuk e njohin Kosovën që në esencë janë proserbë duke filluar nga Federica Mogherini, Borelli, Lajçak, etj, të cilët lejuan që në vazhdimësi të dialogut të lejohet diskutimi për temat që prishin sovranitetin e Kosovës, siç ishte mundësia për ndarjen e saj, Asociacioni një etnik për serbet e Kosovës që është një atak direkt në sovranitetin e Kosovës. Fatkeqësisht këtyre iniciativave iu bashkuan edhe liderët tanë, të pa tru dhe pa shpirt, për t`ia vënë “thikën pas shpine” Kosovës”, thotë ai.

Dyshimi për liberalizim

Gjithashtu, profesori Maxharraj nuk beson që do të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

Po ashtu, ai ka numëruar arsyet për të cilat mendon se pse nuk do të ketë liberalizim të vizave nga BE-ja për qytetarët e Kosovës.

“Në fund, siç u tha edhe më lart eurodeputetët e Parlamentit Evropian kanë debatuar në veçanti për nevojën e liberalizimit të vizave për Kosovën nga Këshilli i BE-së. “Çfarë do të thotë kjo për Kosovën? A është Kosova më afër liberalizimit të vizave, apo është kjo një floskulë politike, kur dihet se Kosovës historikisht Evropa ia ka kthyer shpinën, ia ka futë thikën pas shpine, e ka nda e bërë pikë e pesë, në pesë shtete me qëllim që ta shkatërrojë bërthamën kombëtare të shqiptarëve. Nuk besoi që KE-ja do të përshpejtojë liberalizimin e vizave për Kosovën, anipse kjo shihet si një dritë në fund të tunelit. Por, ky tunel për Kosovën është i gjatë dhe se ajo drita e saj në fund i duhet edhe shumë vite që të dalë jashtë tunelit. Duhet shumë punë e përkushtim i KE-së që të vijë deri te liberalizimi i vizave, sepse një Evropë që edhe zyrtarisht nuk e njeh pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, zor që të jetë e sjellshme dhe e ekzaltuar që së shpejti ta bëjë këtë. Mund të jetë kjo edhe një floskulë politike, një mashtrim i radhës duke e patur parasysh se BE-ja është më afër pro kërkesave të Serbisë se sa të Kosovës për ta detyruar Kosovën që të lëshojë pe ndaj kërkesave bastarde të Serbisë ndaj Kosovës”, ka deklaruar Maxharraj për “Bota sot”.