Konfliktet në Ballkan të pashmangshme?/ Rritja agresive e ekstremizmit dhe shovinizmit serb

Në vazhdën e tensioneve në rritje në rajon, rreziku i shpërthimit të një konflikti në Bosnje, i nxitur nga Serbia dhe Rusia, kriza e Ukrainës, duket se kanë filluar intensifikimet e kontakteve ndërmjet aleatëve në Ballkan.

E tillë duket të jetë vizita e bërë pak ditë më parë në Kosovë e ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kroacisë, Mario Banoziq, i cili u prit nga homologu i tij, ministri i FSK-së Armend Mehaj.

Pas takimit u nënshkrua Marrëveshja e Mirëkuptimit në mes të dy vendeve.

Ministri Mehaj tha se miqësinë me Kroacinë e kurorëzuan me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.

“Si popuj dhe vende na bashkojnë sfidat e ngjashme në të kaluarën çka e forcon edhe më shumë miqësinë ndërmjet vendeve tona. Kjo miqësi e ka pasur momentin kulmorë me kontributin e njerëzve tanë në Luftën e Parë më shumë se dy dekada në Kroaci.” u shpreh Mehaj në një adresim për media.

Tutje ai tha se janë së bashku për të thelluar miqësinë dhe për të hapur rrugë për më shumë bashkëpunim.

Megjithëse asnjëri prej tyre nuk foli për rreziqet, të cilat kryesisht po përmenden nga ekspertë të sigurisë, gjeopolitikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, por edhe nga shefa të diplomacive, vizita e ministrit kroat të Mbrojtjes po shihet në kontekst të këtyre zhvillimeve të pritshme.

Ekspertët e sigurisë për “Bota sot” komentuan këto marrëveshje dhe vlerësuan rëndësinë e tyre.

Tërnava: Kroacia mund t’i ndihmojë shumë Kosovës

ImageHajrullah Tërnava

Ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava komentoi marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Kroacisë, derisa foli edhe për marrëdhëniet mes këtyre shteteve.

“Politikat ballkanike të pasluftës që janë duke u zhvilluar, në krahasim me të kaluarat jo të largëta e sidomos edhe sa ishte Jugosllavia, e që edhe në ato kohëra të asaj Jugosllavie, krahasuar me kombet tjera, kroatët ishin më të afërt dhe më miqësor me qëndrime dhe përkrahje ndaj shqiptarëve se kombet tjera që ishin në atë bashkësi të atyre kohërave. Kroatët po e dëshmojnë edhe në këto kohëra miqësinë e kahershme me ne. Mos të harrohen situatat e kohërave të luftës mes Serbisë dhe Kroacisë, që shqiptarët bënë mjaft për çlirimin e tokave të Kroacisë, dhe morën pjesë si ushtarë, dhe ushtarak, aleat për çlirimin e këtij shteti në mënyrë permanente, duke luftuar kundër serbëve, dhe u sakrifikuan edhe duke i sakrifikuar jetërat e tyre të shumë ushtarëve shqiptarë, e sidomos kur filloi shpërbërja e Jugosllavisë, nga e cila ushtri jugosllave dezertuan shqiptarët dhe u radhitën përkrah ushtrisë kroate, deri në çlirimin e këtij shteti”, deklaroi ai.

Sa i përket vizitës së ministrit kroat në Kosovë, eksperti i sigurisë e vlerësoi si shumë të rëndësishme.

Po ashtu, konsideroi se përmes këtyre vizitave të zyrtarëve kroatë po dëshmohet aleanca e miqësisë shqiptaro-kroate dhe përkrahja e rrugëtimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

“Ditë më parë, Kosovën e vizitoi ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, dhe kjo vizitë ishte një përkrahje drejt rrugëtimit të Kosovës drejt anëtarësimit në institucionet ushtarake ndërkombëtare sikur që është NATO-ja, dhe institucione tjera ndërshtetërore e sidomos në BE, meqë tani ky shtet ka role të rëndësishme si anëtare e rregullt e BE-së, dhe përkrahja e saj është mjaft domethënëse për shtetin e ri të Kosovës, drejt rrugëtimit të saj e deri në anëtarësimin e saj në BE.

Me këto veprime të vizitave të zyrtarëve kroat po dëshmohet aleanca e miqësisë shqiptaro-kroate apo edhe një aleancë për mbrojtje nga projektet serbo-mëdha të serbëve, si rreziku i një konflikti në Bosnje, dhe mundësia e një konflikti në Ballkan”, theksoi Tërnava.

Në vazhdim, eksperti i sigurisë e sheh si një mundësi të mirë për Kosovën, përkrahjen e Kroacisë si anëtare e BE-së.

Gjithashtu, ai përmendi edhe faktin se vendi ynë dhe shteti kroat e kanë një ‘armik’ të përbashkët siç është shteti serb.

“Në situatat e tilla e si anëtare e BE-së që tani është Kroacia, tani Kosovës mund t’i ndihmojë shumë dhe me veprimet e tyre shtetërore e që është e konfirmuar si shtet dhe mik i Kosovës, dhe me këto miqësi Kosovës i ndihmohet edhe në preventivë, sepse shteti serb ende na kërcënon dhe shpesh na krijon konflikte si policore apo ushtarake, prandaj një miqësi e tillë me këtë shtet është shumë domethënëse për neve sepse vlerësuar në tërësi bëhet fjala për shtetin armik të njëjtë për dy shtetet tona Kroaci-Kosovë, e që bëhet fjala për Serbinë.

Prandaj, gjithsesi se Kosovës mund t’i ndihmohet në shumë aspekte, e sidomos duke i promovuar miqësitë e saj ndaj shtetit tonë dhe duke i proklamuar ato miqësi edhe ndaj shteteve të tjera, e sidomos duke kontribuar edhe në njohje të reja ndaj shtetit të Kosovës, sepse sikur e shpjegova më lartë se shqiptarët e kanë një kontribut të rëndësishëm për çlirimin e Kroacisë”, nënvizoi ai.

Në fund, ish-zëvendësministri i MPB-së potencoi se shteti kroat ka mundësi të promovojë politika miqësore në favor të shtetit të Kosovës, brenda shteteve të BE-së.

“Kroacia tani si anëtare e shumë institucioneve ndërkombëtare sikur që është NATO, UNESC-o, INTERPOL-i e shumë tjera mund tani të ndihmojë Kosovën, në anëtarësimin tonë në këto institucione, dhe të angazhohet në njohje të reja të atyre shteteve që ende se kanë njohur Kosovën, e sidomos këtë angazhim të njohjeve ta bëjnë ndaj atyre pesë shteteve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, dhe të promovojnë politika miqësore në favor të shtetit të Kosovës ndaj shteteve të tjera që Kosova ka nevojë për ndihma të tilla që na nevojiten deri në anëtarësimin e plotë në BE”, përfundoi Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.

Shala: MM e Kosovës dhe ajo e Kroacisë kanë hyrë në një marrëdhënie të veçantë

ImageDrizan Shala

Ndërsa, ekspertit tjetër i sigurisë, Drizan Shala në prononcimin e tij për gazetën “Bota sot” tha se ministritë e mbrojtjes të Kosovës dhe Kroacisë kanë një marrëdhënie shumë të veçantë.

“Po kjo vizitë po tregon që Ministria e Mbrojtjes e Kosovës dhe ajo e Kroacisë kanë hy në një marrëdhënie të veçantë të kursit të veprimit që është forcimi i integrimit Eu/Atlantik si dhe fillimi i mbrojtjes së kufijve të jashtëm të vendeve të NATO-s”, deklaroi ai.

Sipas Shalës situata në rajon është shumë e tensionuar, duke mos përjashtuar edhe mundësinë për konflikte ekstreme të shovinizmit serb.

“Dihet që Serbia ka synim të projektit të saj të viteve të ’90-ta për t’i futur të gjitha shtetet të cilat flasin serbisht dhe jetojnë në rajon, nën një shtet të vetëm administrativ.

Situata në rajon është e tensionuar në shumë dimensione, të cilat po shkaktojnë zhvillime të proceseve me karakter politik dhe atij ushtarak duke demonstruar atë. Konfliktet janë të pashmangshme nëse do kemi veprime të pakontrolluar nga ekstremizmi i djathtë ekstrem i shovinizmit serb në rajon”, theksoi Drizan Shala për “Bota sot”.