Korrigjimi i kufijve si mendësi e vonuar

Nga Fitim Nuhiu

27/05/2019

Ka kohë që tema e korrigjimit të kufijve është hapur, duke filluar nga lobet shqiptare në diasporë si kauzë mbarëkombëtare për një padrejtësi historike që na është bërë dhe së fundi më me zë të lartë, pra në qarqet ndërkombëtare nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, (duke e paraqitur si ide personale të tij) si përfundim i procesit negociator midis Kosovës dhe Serbisë, dhe si një marrëveshje përfundimtare, një zgjidhje konflikti dhe njohjeje midis dy vendeve fqinje.
Duke dëgjuar me vëmendje deklaratat e dy liderëve z. Thaçi dhe z. Vuçiç, lënë shumë hapësirë për të konspiruar dhe për të interpretuar kuptimet e deklaratave të tyre publike, që nuk pranojnë asnjë marrëveshje që shkon në dëm të palës (popullit) së vet, mirëpo për ata që dinë të lexojnë mirë gjeopolitikën, lënë të kuptojnë se këtu po ndodh një ‘gjë vërtetë historike’, qëkur ShBA, Rusia, Britania e Madhe, Gjermania, dhe Franca po merren me këtë çështje, dëshmon se çështja nuk është ashtu siç pretendon z. Thaçi, që është thjesht një demarkim kufiri sikur me Malin e Zi, me një korrigjim – aneksim të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, dhe se idenë e shkëputjes së Veriut të Mitrovicës në asnjë rrethanë nuk e pranon. Pra siç shihet situata dhe kuptimet marrin një komplikim, do të thosha një konfuzion të madh.
Në anën tjetër z.Vuçiç në një intervistë (në tv Pink) thotë se do të kemi një humbje të madhe, por unë bëra aq sa munda.
Duke marrë në konsideratë këto deklarime publike të tyre, në mendje të vie një kuptim që asnjëra palë nuk tregon realitetin siç duhet, se çka realisht i pret qytetarët e Preshevës, me një fjalë nuk janë transparent, ndoshta sepse nuk i pyesin kur shkojnë të bisedojnë me ndërkombëtarët për këto çështje, sepse këtu nuk është thjesht një lëvizje kufiri lokal e rajonal, por për Europën, mund të hap precedente të reja, dhe problematika tjera, kështu që as vet nuk janë duke ditur, e lëre më të na informojnë ne, qytetarëve të rëndomtë.
Deklarimet e tyre i lexoj siç vijon:

* Z. Thaçi vazhdon me këmbëngulje të mos e pranon ndarjen e Kosovës, madje asnjë centimetër të saj, dhe kërkon, po me atë këmbëngulje bashkangjitje të komunave shqiptare me republikën e Kosovës, pra kërkon maksimumin që të merr optimumin, maksimë e njohur politike, pra njohjen e Kosovës nga Serbia, dhe se për z. Vuçic kjo sigurisht është ‘një humbje e madhe’, siç ai pretendon, për të dhe për nomenklaturën që ai përfaqëson.

* Z. Thaçi shpesh e përsërit veten kur thotë se ne synojmë, kemi ambicie që të marrim këtë zonë shqiptare (pra mund edhe të mos e marrim) duke justifikuar edhepse me të drejtë kërkesën e tij, se në atë zonë, minoriteti shqiptar po përjeton diskriminim të madh nga Serbia, gjë që të bën të dyshosh se asnjëherë në karrierën e tij politike nuk është dëgjuar të ngrit shqetësime të tilla, pse pikërisht në këtë kohë?

* Këtë problem e ndërlikojnë akoma më shumë edhe zërat brenda qarqeve politike shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë që janë kundër kësaj bashkangjitje të komunave shqiptare me Kosovën, duke u arsyetuar me të drejtë se cenojnë drejtëpërdrejtë kushtetutën e republikës së Kosovës, që kufijtë e saj janë të paprekur dhe të pandryshuar.

* Duke pasur parasysh vizionin që Bashkimi Europian ka, (që synon që shtetet të jenë multinacionale dhe multikulturore) ndryshe nga SHBA (politikat e Trampit që synojnë në rikthimin e shteteve-kombe, pra, të pastra etnikisht) ky korrigjim kufijsh nuk korrespondon me frymën e saj europiane, që parimisht nuk përkrah shtetet etnikisht të pastërta, dhe se brenda standardeve për t’u futur në BE këto shtete përkatëse, si kusht kanë respektimin e minoriteteve brenda shtetit të vet, gjë që me një formë BE stimulon që të ketë brenda shtetit shoqëri të përzier etnikisht, e jo të pastër siç korrigjimi nënkupton dhe aspiron, kjo mund të përplas SHBA dhe BE, në parim.

* Në komunën e Preshevës dhe Bujanovcit, kjo temë fillimisht është pritur me entuziazëm të madh, por me kalimin e kohës, shihet se banorët e kësaj ane, janë frustruar dhe lodhur nga politika që bëhet, nga pazaret që bëhen për ata, pa ata, pra për jetën dhe fatin e tyre politik dhe mendoj se nuk merren parasysh tashmë aktualisht madje as se çfarë opinioni kanë, thjesht nuk kanë përfaqësim në këto diskutime, pavarësisht liderëve që ishin në takim me presidentin e Kosovës, sepse do të duhej përfaqësimi i Luginës të jetë në nivel ndërkombëtar.

* Thaçi dhe politikanët preshevarë kërkesën për bashkangjitje e bazojnë në vullnetin e popullit, pra në Referendumin e 1992, kur me shumicë absolute, preshevarët e asaj periudhe, zgjodhën që t’iu bashkangjiten Kosovës, porse mendoj se kjo shumicë tani varion nga ato vite kur mendësia dhe realiteti social-politik ishte krejt i ndryshëm nga i sotshmi, këtu nuk e kam parasysh se Serbia i ka përmirësuar kushtet për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve të këtyre komunave, përkundrazi, porse ka një zhgënjim popullor ndaj politikanëve shqiptar qoftë nga Lugina e Preshevës, qoftë edhe nga politikanët kosovar, që gjersa ata nuk janë të aftë të bëjnë asgjë për qytetarët e vet atje, që kosovarët ikin çdo ditë e më shumë, çfarë është pritmshmëria nga po ata politikanë që të na bëjnë jetën më të mirë, pra kemi një realitet ndryshe, një mendësi që si bëhet vonë më se ku jeton, qytetar i cilit shtet është, por vetëm e vetëm të ketë një mirëqenie social-ekonomike, një jetë dinjitoze, dhe këtë e faktoj me valën masive të ikjeve të fundit drejt Perëndimit, me këtë i dhanë vulën se çfarë synojnë tashmë kushtimisht të themi të rinjtë dhe se çfarë duan dhe ku duan të shkojnë.

* Para se të ndodh një gjë e tillë, një lëvizje kufiri, do të ishte e drejtë të bëhet një plebishit, një referendum popullor (vullnet popullor) se a duan ose jo këto komuna bashkangjitjen me Kosovën, sepse z. Thaçi thotë se 99 % e preshevarëve duan të bashkangjiten me Kosovën, gjë që është plotësisht e padrejtë të pretendosh një gjë të tillë, sepse nuk është e vërtetë.

* Mendoj se këtij korrigjimi i ka kaluar koha dhe se tashmë s’di çfarë rëndësie ka për të rinjtë kur ëndrra e secilit të ri është si të ik nga ky vend njëherë e përgjithmonë, pra ka ndryshuar një realitet, një mendësi, sepse i riu kërkon diçka tjetër nga ajo e brezave të hershëm, ka kohë që i riu ka dal nga koncepti ideal, dhe ai/ajo është tani të themi më pragmatik, kërkon një jetë më të mirë, ndryshe nga ajo e brezave dikur që sakrifikonin gjithçka vetëm të kishin shtetin e vet.

* Duke marrë në konsideratë krimin dhe korrupsionin e strukturuar në Kosovë dhe në Shqipëri, pra z. Thaçi dhe z. Rama, (fus këtu z. Rama, sepse edhe ky mundohet të bëj rolin paternal, nacional) që dalin në shesh çdo ditë, raste më flagrante dhe skandale të njëpasnjëshme, qytetari shqiptar e ka humb besimin, që liderët që i prin këtij ‘procesi’ të bëjnë diçka të mirë për kombin shqiptar, që s’kanë mbetur gjë pa vjedhur nga xhepat e qytetarëve të vet, e si t’i besojnë edhe qytetarët e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës se diçka të mirë do të bëjnë edhe për ata.

* Zëri i intelektualëve preshevarë, apo shoqërisë civile nuk dëgjohet të jetë aktiv, meqë pretendohet se po kalohet me një marrëveshje historike për vendin e vet, edhe kjo është një indicie se me heshtje duan të tregojnë mendimet ose mosinteresimin e vet.

Si përfundim, do të doja që politikanët tanë të reflektojnë, që mos të na flasin për nacionalizma dhe patriotizma të rrejshëm, sepse mendësia dhe realiteti qytetar në terren ka ndryshuar, gjithashtu realiteti flet për një mjerim total, porse të përmirësojnë cilësinë dhe mirëqenien e qytetarëve të vet, pavarësisht se çfarë etnie i përkasin, pikërisht ky është patriotizëm i vërtetë, sepse jemi lodhur nga nacionalizmat bajate, ku secili lavdëron veten dhe ofendon të tjerët si racë dhe etni e ndytë, etj. Para se të synojnë me këtë politikë të rrejshme të tyren, me idenë e kahmotshme që të bashkojnë tokat e shqiptare që me një të ardhme shumë të afërt mund të mbeten të pabanuara, uroj të flakin si ata ashtu edhe ne këtë mendësi të vonuar tashmë dhe uroj të reflektojnë që të synojnë të ndryshojnë jetën e qytetarit, të zhvillojmë bashkarisht një arsim më cilësor, një shëndetësi siç duhet, e shumë e shumë pika tjera të rëndësishme për një shoqëri dinjitoze, të ndajmë me njëri- tjetrin përvojat tona të ndryshme, të jetojmë drejt një vizioni europian, të hapur me njëri-tjetrin, pavarësisht dallimeve etnike, sepse pikërisht ne duhet të kishim marrë mësimin e duhur nga shtetet etnikisht të pastërta (se çka janë në gjendje të bëjnë, siç bëri Serbia në Kosovë) dhe të kultivojmë diversitetin etnik dhe kulturor mbi të gjitha, të marrim si shkas që të përfitojmë nga këto dallime kulturore që kemi, nga kjo pasuri, kjo do të ishte një jetë më e mirë për vendet tona drejt një zhvillimi dhe progresi reciprok dhe bashkëpunues.