Korridori 8 dhe 10D: Qeveria – marrëveshja vetëm para deputetëve me certifikatë sigurie

Qeveria e RMV-së njoftoi se përfaqësues të Qeverisë dhe anëtarë të Komitetit për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D, të kyçur në këtë projekt më të madh të infrastrukturës, do ta prezantojnë dokumentacionin dhe detajet e Marrëveshjes për ndërtimin e dy korridoreve, në procedurë përkatëse parlamentare.

Prezantimi i Marrëveshjes, sic thanë nga Qeveria, do të zbatohet para të gjithë deputetëve të Kuvendit të RMV-së që posedojnë certifikatë adekuate të sigurisë.

Mospublikimi i marrëveshjes flet se LSDM dhe BDI diçka po fshehin – thonë nga VMRO-DPMNE-ja duke theksuar se opinion duhet të dijë se si do të harxhohen 1.3 miliardë euro për ndërtimin e Korrisorit 8 dhe 10D.

VMRO-DPMNE thotë se sipas materialeve që kjo parti i ka nga informatorët, marrëveshja ka një pjesë ku shihet se 70% e punëtorëve do të jenë të huaj.

“Ka ligj edhe për 40 orë orar pune gjatë javës dhe LSDM bën presion për procedurën për 60 orë gjatë javës, për shkak se kanë nënshkruar marrëveshje e penalizime për vendin prej 53 milion euro, nëse nuk miratohen ndryshimet ligjore”, thonë nga VMRO-DPMNE.

BDI, dje përmes një reagimi ka theksuar se VMRO-DPMNE-ja opozitare konfirmon për çdo ditë se është e orientuar rrënjësisht kundër shqiptarëve, kundër ndërtimit të Korridorit 8, kundër integrimit në Bashkimin Europian dhe miqësisë strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë nesër pritet të nisin punimet në pjesë të autostradave të Korridorit 8 dhe 10D. As Qeveria e as Ministria e Transportit nuk kanë zbuluar se nga ku do të nisin punët ndërtimore.