Koronavirusi shtyu seancën kundër Ejup Halimit dhe Ismet Gurit

Për shkak të koronavirusit, nuk u thanë fjalët përfundimtare te lënda “Titanik 3”. I akuzuari Ismet Gurri nuk ishte i pranishëm në seancë. Avokati i tij Elenko Millanov, tha se klienti i tij i takon grupit të qytetarëve që sipas rekomandimeve të Qeverisë, duhet ti kufizojnë lëvizjet e tyre, përshkak se është me diabet.

“Ismet Guri, prej 20 vitesh është i sëmurë nga diabeti. Në bazë të rekomandimeve të Qeverisë, ai nuk duhet të del nga shtëpia. Ja edhe dokumenti mjekësor. Ai merr terapi insulin”.

Për më 24 mars gjykata caktoi seancën e ardhshme, në të cilën duhet të thuhen fjalët përfundimtare dhe gjykatësja i kujtoi palët për pasojat në qoftë se nuk paraqiten në gjykatë. Ajo poashtu e obligoi avokatin Millanov që ta njoftoj klientin e tij, pasi siç tha ajo gjykata ka kushte për tu zhvilluar seancë dhe dezinfektohet, por nëse është nevoja siç ajo u shpreh mund edhe të zhvillojnë seancë pa prani të opinionit.