Koronavirusi më shkaktoi shumë dëm, por vetëm një “hajr”: E lash duhanin!

Pjesa më e madhe e të infektuarve nga virusi COVID-19 në Maqedoninë e Veriut edhe pasi kalojnë në kategorinë e pacientëve të shëruar nga ky virus, thonë se iu lë gjurmë në shëndetin e tyre pasi ndjejnë plogështi në trup, herë pas herë përzierje në stomak dhe marramendje.

Fitim Kryeziu me profesion gazetar dhe njëherësh kryetar i Klubit të Basketbollit ‘Albes’ në Shkup, për Radion Evropa e Lirë rrëfen se lufta e tij me koronavirusin ka qenë shumë e vështirë.

Me shfaqjen e simptomave të para në fillim të muajit gusht, ai për tetë ditë është mjekuar në kushte shtëpie, por me përkeqësimin e situatës shëndetësore, Fitimi është shtrirë për dy javë në Klinikën Infektive në Shkup.

Ai duke shpjeguar përvojën e tij për sa i përket përballjes me virusin COVID-19, thotë se ka bërë gabim që nuk është paraqitur në spital menjëherë pas shfaqjes së simptomave të para.

“Kjo periudhë e shërimit në kushte shtëpie mendoj se ka qenë gabimi më i madh i imi, dhe këtë gabim si duket e bëjnë shumica e personave të prekur nga COVID-19 të cilët tentojnë që me çdo kusht të shërohen në kushte shtëpiake dhe në klinikë drejtohen kur veçmë janë në gjendje shumë të rëndë ku dhe intervenimi i mjekëve në këtë gjendje është shumë më i rëndë” thotë Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.

Ai tha se pas marrjes së terapisë, në ditën e tretë në Klinikën Infektive, gjendja e tij shëndetësore ka filluar të përmirësohet.

Po ashtu, Kryeziu tha se edhe pas shërimit nga virusi, tanimë dy muaj negativ në testim, ka probleme shëndetësore.

”Për sa i përket periudhës së pas-shërimit (pas rezultatit negativ) ajo është e rëndë, ku në raste të caktuara ndoshta i ndjej simptomat e njëjta sikurse gjatë kohës që isha i infektuar me virus. Sigurisht se në përjashtim të temperaturës trupore të cilën nuk e kam pasur që nga përudha kur kam dalur nga spitali, por simptomat që i ndjej edhe sot janë marramendjet, kokëdhembjet e mëdha në raste të caktuara, por edhe dhimbjet në këmbë dhe duar. Në raste të caktuara kam edhe dridhje në duar dhe në këmbë“, tha ai.

Ai thekson se infeksioni është serioz dhe në asnjë mënyrë nuk duhet neglizhuar sepse ai mund të jetë agresiv edhe tek ata të cilët janë me kondicion fizik të mirë.

Mjekët thonë se gjendja shëndetësore e brishtë e pecientëve të shëruar nga virusi COVID-19 paraqitet si normale për pacientët e shëruar nga kjo sëmundje e re.

Farmacistët i hedhin poshtë dilemat e shumta në opinion se simptomat pas shërimit janë si rrjedhojë e terapisë së rëndë që pranojnë këta pacientë.

“Sigurisht se simptomat si lodhje, plogështi dhembje të gjymtyrëve janë si rrjedhojë e vetë sëmundjes së koronavirusit dhe jo si pasojë e terapisë që kanë marrë këta pacientë”, tha Angellkovska.
Nga Klinika Infektive në Shkup, thonë se pjesa më e madhe e pacientëve hezitojnë të paraqiten me kohë në spital dhe kjo e vështirëson në masë të theksuar shërimin madje dhe tek pacientët me gjendje të mirë fizike.

Pasoja nga koronavirusi ndien edhe Qerim Hasani nga Çairi i Shkupit. Ai për gazetën Lajm thotë se beteja me virusin ishte luftë për jetë ose vdekje, por se në fund ka arritur ta mposhtë. Përkrah gjitha pasojave negative, Qerimi thotë se koronavirusi i ka sjellur edhe një përfitim.

“Që kur mu paraqitën simptomat e para në fund të gushtit, nuk e kam ndezur më cigaren. Duhanin e kam pirë 24 vite rresht, e tani po bëhen gati dy muaj që nuk e kam ndezur. Asnjëherë më nuk do ta pi”, thotë Qerimi.
Ai është i bindur se duhanpirësit janë shumë më të rrezikuar nga virusi Kovid 19 në krahasim me persona tjerë, prandaj u bën apel gjithë duhanpirësve të heqin dorë para se të bëhet vonë.