Koronavirusi kundrejt kampanjës

Shkruan: Prof. Dr. Jeton SHASIVARI

Me katër rastet e reja të sotme, numri i të prekurve nga koronavirusi në RMV oficialisht u
zmadhua në gjithsej 13-të persona. Mirëpo, opinioni në RMV me padurim po i pret rezultatet nga
infektimet e mundshme nga ish-drejtoresha e Klinikës së Shkupit për sëmundje të lëkurës, e cila
edhe përskaj simptomeve të këtij virusi, pa i respektuar protokolet zyrtare, pas kthimit nga
skijimi në Itali, u paraqit në punë rreth një javë, duke vënë në rrezik shëndetin e mbi 200
personave të tjerë, të cilët sot janë në izolim shtëpiak. Ky rast i sjelljes së pandërgjegjshme, e
hapi fuqishëm dilemën nëse, shëndetësia e vendit tonë ka kapacitete që të përballet me kanosjet e
koronavirusit, sidomos kur sjelljet e tilla vijnë nga udhëheqësit e shëndetësisë?!
Në takimin e djeshëm tek Kryeministri teknik z. Spasovski, liderët politikë u dakorduan
që zgjedhjet e 12-të prillit të mos shtyhen, dhe që kampanja zgjedhore të zhvillohet në pajtim me
masat institucionale për parandalimin e koronavirusit, pra, nuk do të ketë tubime publike, kurse
aktivitetet do të transmetohen në media elektronike dhe rrjete sociale deri më 24 mars, pra, një
ditë pas fillimit të kampanjës zgjedhore, e cila zyrtarisht fillon më 23 mars. Dilema kryesore
juridike dhe demokratike që shtrohet në këtë situatë, ka të bëjë me faktin se, a mund të ketë
kampanjë zgjedhore pa tubime publike, sepse dispozita e nenit 69-a e Kodit zgjedhor, e cila e
përkufizon kampanjën zgjedhore, që në fillim përcakton se, kampanjë zgjedhore konsiderohen
tubimet publike, pra për Kodin zgjedhor prioriteti i parë i kampanjës zgjedhore është mundësia
që zgjedhësit t'i shohin (pse jo t'i përshëndesin me shtrëngim duarsh, madje edhe t'i përqafojnë)
kandidatët në tubime publike. Poashtu, meqë RMV nuk e njeh votimin elektronik, atëherë cili do
të ishte entuziazmi për të dalur në votime më 12-të prill, meqë zgjedhjet nuk do jenë njësoj të
suksesshme dhe kredibile, nëse do votonin më pak se gjysma e trupit zgjedhor në RMV. Çka me
zgjedhësit që nuk përdorin rrjete sociale? A ka kapacitet RMV-ja të organizojë zgjedhje në
kushte të kanosjes së koronavirusit të shpallur si pandemi botërore nga Organizata Botërore e
Shëndetësisë për shkak të nivelit alarmant të përhapjes dhe ashpërsisë?
Dalëngadalë koronavirusi jo vetëm që po kanos shëndetin e qytetarëve në RMV, por edhe
parimet kyçe të demokracisë zgjedhore, ku padyshim bëjnë pjesë tubimet publike. Prandaj, duket
i arsyeshëm apeli i sotëm i Kryetarit të Republikës z. Pendarovski, drejtuar liderëve politik që në
ditët e ardhshme t'i rishikojnë edhe një herë, qëndrimet e tyre për mos shtyrjen e zgjedhjeve,
sepse shëndeti i qytetarëve është mbi partitë politike dhe interesat e tyre politike.
Nga takimi i djeshëm i liderëve politik tek Kryeministri teknik, z. Spasovski si dhe nga
apeli i sotëm i Kryetarit të Republikës z. Pendarovski, tashmë, një gjë është e sigurtë,
koronavirusi po e kontrollon ritmin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 12-të prillit në
RMV.

(Autori është Profesor ordinar i së drejtës kushtetuese dhe administrative
në Fakultetin Juridik të UEJL-së)