“Korniza globale”, përparim me rëndësi në kontrollin e armëve konvencionale

OKB-ja arriti ditët e fundit “kornizën globale” mbi kontrollin e municioneve konvencionale. Lidhur me këtë, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbing tha të hënën se kjo kornizë do ta plotësojë “mangësinë” në mekanizmin ndërkombëtar të kontrollit të municioneve dhe është një përparim me rëndësi dhe një gur kilometrik në fushën e kontrollit të armëve konvencionale.

Wang theksoi se vitet e fundit kanë ndodhur shumë aksidente në kontrollin e municioneve dhe është shtuar eksporti i papërgjegjshëm i tyre, gjë që jo vetëm ka shkaktuar humbje të mëdha në njerëz, por edhe ka nxitur konfliktet e armatosura, terrorizmin dhe krimin e organizuar ndërkufitar. Në këtë sfond, Asambleja e 76-të e Përgjithshme e OKB-së autorizoi të formohej një grup i hapur pune mbi municionet konvencionale. Pas bisedimeve të vështira gjatë dy vjetëve të fundit, palët arritën më në fund “Kornizën globale mbi kontrollin e municioneve konvencionale gjatë tërë procesit”.
“Pala kineze mori pjesë në të gjitha diskutimet e grupit të punës me qëndrim konstruktiv dhe ka luajtur rolin kryesor koordinues për arritjen e kësaj kornize,” bëri të ditur Wang. Me propozimin e palës kineze, në kornizë u përfshinë koncepte si “moseksportimi i municioneve subjekteve joshtetërore” etj., çka tregon plotësisht vendosmërinë e bashkësisë ndërkombëtare për forcimin e kontrollit të municioneve.

Zëdhënësi i diplomacisë kineze u shpreh që në të ardhmen pala kineze është e gatshme të shtojë më tej shkëmbimet e bashkëpunimin në kontrollin e municioneve, duke zbatuar konceptin e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit, për të dhënë kontribut më të madh për një botë me paqe afatgjatë e me siguri të përgjithshme.