Koreja e Veriut pretendon se “sateliti spiun” i saj ka fotografuar Shtëpinë e Bardhë, Pentagonin dhe aeroplanmbajtëset amerikane

Pas dekadash mbikëqyrjeje satelitore nga qeveritë dhe analistët e huaj, Koreja e Veriut ka dërguar satelitin e saj të parë spiun në një orbitë globale me një mesazh për botën: ne mund t’ju shikojmë gjithashtu.

Madje të martën, media shtetërore e Koresë së Veriut tha se udhëheqësi Kim Jong Un kishte shqyrtuar fotografitë satelitore spiune të Shtëpisë së Bardhë, Pentagonit dhe aeroplanmbajtësve të SHBA-së në bazën detare të Norfolk.

Ndryshe, Koreja e Veriut javën e kaluar lëshoi me sukses satelitin e saj të parë zbulues, për të cilin ka thënë se ishte projektuar për të monitoruar lëvizjet ushtarake të SHBA-së dhe Koresë së Jugut.

Që atëherë, media shtetërore ka raportuar se sateliti ka fotografuar qytete dhe baza ushtarake në Korenë e Jugut, Guam dhe Itali, përveç Uashingtonit.

Megjithatë, deri më tani, Pheniani nuk ka publikuar asnjë imazh, duke i lënë analistët dhe qeveritë e huaja të debatojnë se sa i aftë është në të vërtetë sateliti i ri.

E Koreja e Jugut, e cila tha të martën se data e lëshimit më 30 nëntor për satelitin e saj të parë spiun në një raketë amerikane Falcon 9 do të vonohej për shkak të motit, ka thënë se aftësitë satelitore të Veriut nuk mund të verifikohen.

Ndërsa në Uashington, Pentagoni tha se sateliti i Koresë së Veriut hyri në orbitë, por nuk komentoi pretendimet e Phenianit për imazhet që kishte kapur.

“Unë do të them se ka shumë imazhe të Pentagonit dhe Shtëpisë së Bardhë në internet”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral brigade Patrick Ryder.

Nuk ka asnjë arsye për të dyshuar se sateliti mund të shihte zona të mëdha ose anije luftarake që Koreja e Veriut pretendonte se mund të shihte, pasi edhe një aparat fotografik me rezolucion të mesëm mund t’i ofronte Phenianit atë aftësi, tha Dave Schmerler, një ekspert i imazheve satelitore në “James Martin Center for Nonproliferation Studies (CNS)”.

“Por se sa të dobishme janë ato imazhe varet nga ajo për çfarë duan t’i përdorin ato”, theksoi ai.

“Është një hap i madh për ta duke shkuar nga zero në diçka, por derisa të mund të shohim imazhet që ata po mbledhin, ne po spekulojmë për rastet e përdorimit të tij”, ka shtuar ai.