Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës nxiti qeverinë shqiptare të ndalojë punimet për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës në Zonën e Mbrojtur Vjosë-Nartë, duke përsëritur qëndrimin e shprehur në shtator të këtij viti përmes një rekomandimi zyrtar.
Burime të pranishme në një takim njëjavor të zhvilluar në Strazburg, i cili përfundoi më 1 dhjetor, i thanë Zërit të Amerikës se pjesëtarët e Konventës shprehën shqetësimin e lartë në lidhje me vazhdimin e punimeve të aeroportit, duke nxitur autoritetet shqiptare të punojnë së bashku me shoqërinë civile dhe palët e tjera të interesit për një studim të thelluar të ndikimit në mjedis.
Autoritete shqiptare do të raportojnë qershorin e vitit të ardhshëm për hapat e hedhur në zbatim të rekomandimeve të Konventës, ndërsa fundvitin e ardhshëm pritet që Komiteti i Konventës së Bernës të mblidhet sërish për të shqyrtuar situatën.
Përfaqësuesi i Organizatës shqiptare për Mbrjotjen e Natyrës (PPNEA) Xhemal Xherri i pranishëm në takimin vjetor të Konventës ssë Bernës i tha Zërit të Amerikës se krahas përfaqësuesve të dy organizatave mjedisore shqiptare (ECO Albania dhe PPNEA) dhe organizatës Euro Natur në takim ishin edhe përfaqësues të qeverisë shqiptare.
Në takim tha zoti Xherri u theksua veçanërisht fakti që punimet për ndërtimin e aeroportit po vazhdojnë me intesitet dhe pse Komiteti i Përhershëm i Bernës ka kërkuar ndalimin e punimeve tre muaj më parë.
Në takim përfaqësuesit e organizatave mjedisore shqiptare EcoAlbania, dhe EuroNatur shprehën qëndrimet e tyre para përfaqësuesve të Konventës, tha zoti Xherri.
Zydjon Vorpsi, i organizatës PPNEA është shprehur se “Qeveria shqiptare pretendon se përshpejtimi i procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian është një prioritet parësor”.
“Zbatimi i rekomandimeve të Konventës së Bernës mbështet pikërisht këtë objektiv”, tha zoti Vorpsi.
Sipas tij “mos-pajtimi me dispozitat e një traktati ndërkombëtar nuk ndihmojnë në këtë qëllim, përkundrazi, kanë efekt të kundërt në integrimin e Shqipërisë.”
Ndërsa Besjana Guri, menaxhere projekti tek “EcoAlbania”, nënvizoi në prezantimin e saj përpara Komitetit të Përhershëm rëndësinë e lumit të Egër Vjosa.
“Shpallja e Lumit Vjosa dhe tre tributarëve të tij si një Park Kombëtar i vetëm, është një arritje e madhe dhe ne e përgëzojmë qeverinë Shqiptare për këtë vendim. Gjithsesi, ne jemi të shqetësuar që ekosistemi i Vjosës ndodhet akoma nën kërcënim, siç tregohet me ndërtimin e aeroportit në deltën e Vjosës pranë parkut të ri kombëtar, si dhe nga projekti i devijimit të ujit nga lumi Shushica, brenda parkut kombëtar” u shpreh zonja Guri.
Zoti Xherri i tha Zërit të Amerikës se përfaqësuesit e qeverisë Shqiptare deklaruan në takimin e Komitetit të Përhershëm, qëndrimine mbajtur edhe në raportin e tyre zyrtar se – zona është shpallur gabimisht si një zonë e mbrojtur.
Ata pohuan në takim se zona ka qenë një aerodrom ushtarak dhe se shpallja si Peizazh i Mbrojtur ka ndodhur gabimisht, u shpreh zoti Xherri. Drejtor Ekzekutiv pranë EuroNatur Gabriel Shwaderer dekaroi se “Këto deklarata po shndërrojnë realitetin”.
Fusha e aviacionit është përdorur deri në vitet ‘90 dhe nuk kishte infrastrukturë mbështetëse, madje, as një pistë të shtruar me asfalt tha ai. Sipas zotit Shwaderer Zona e Mbrojtur u dizenjua në vitin 2004 bazuar në një propozim shkencor. Disa vite më vonë, ekosistemi i Vjosë-Nartës u propozua nga autoritetet Shqiptare si një zonë Emerald, që do të thotë se zona është e një rëndësie të lartë për Evropën.