Kontratat në skandencë problemi i madh i Superiores, mbeten çështje e pazgjidhur!

Deklarata e Gilman Likës në përfundim të ndeshjes me Flamurtarin tregoi një problem të vërtetë sa i përket çështjes së kontratave në këtë rifillim kampionati, përfundimin e marrëveshjes mes palëve dhe mungesën e një urdhërese për zbatimin e tyre deri në fund të sezonit që u shty për shkak të pandemisë së Covid-19. Në Ballsh, Saliou Guindo nuk u paraqit në skuadër pasi pretendon se i ka përfunduar kontrata dhe nuk ka më asnjë detyrim ndaj klubit të Bylisit, ndërkohë që klubi pretendon të kundërtën.

Te Tirana, Michael Ngoo kërkon një rinovim për këtë periudhë, trajneri Egbo deklaroi se kjo çështje nuk ekziston. FIFA e ka lënë pezull këtë çështje duke e lënë në dorë të futbollistëve dhe klubeve për ta zgjidhur, pa specifikuar nëse rifillimi i sezonit do të thotë dhe zgjatje automatike e kontratës për futbollistët me skadencë deri më 31 maj ose 30 qershor. Lojtarët e huazuar dhe ata në përfundim kontrate në këto kushte janë të lirë të zgjedhin nëse nuk arrijnë marrëveshje me klubet. Në Superiore, realiteti pak a shumë është ai që shprehu Gilman Lika dhe fjalët e tij, apo largimi i Guindos duhet të jenë një këmbanë alarmi për çdo klub, në mënyrë që secila skuadër të mos dalë zbuluar në momentin e largimit të një lojtari. Pandemia sigurisht që nuk ishte për faj të tyre, por rregullimi i kontratave në këtë fazë, sigurisht që po.