Konsensusi i ri evropian për zgjerimin: fundi i politikës “business as usual”?

Arben Fetai

Arben Fetai është udhëheqës i Departamentit për BE të Aleancës për Shqiptarët. Ai është magjistër i politikave evropiane pranë Institutit për Studime Evropiane (Bruksel), me një përvojë mbi 15 vjeçare në fushën e integrimeve evropiane me agjenci dhe fondacione të ndryshme ndërkombëtare.

Pas sagës dy-vjeçare ballkanike në Këshillin e BE-së e cila përfundoi në dhjetorin e kaluar me refuzimin e hapjes së negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, dhe kërkesën e Presidentit francez Macron për rishikimin e politikës evropiane të zgjerimit para çfarëdo vendimi të ri në lidhje me këtë çështje, Komisioni evropian (KE) prezantoi më 5 shkurt një propozim për metodologjinë e re për negociatat e anëtarësimit në BE.

Pa hyrë në detajet teknike të propozimit që pak i interesojnë qytetarit të zakonshëm, propozimi i KE-së duket para së gjithash si një rrëfim i dështimit sistemor të politikës aktuale të zgjerimit në së paku tre fusha.

I. Politika e zgjerimit ka dështuar të prodhojë kohezion në shtetin e së drejtës midis vendeve kandidate dhe atyre të BE-së. Kjo ilustrohet më së miri me shembullin e Maqedonisë së Veriut, kandidate zyrtar për anëtarësim në BE që nga viti 2005, por një vend i cilësuar si shtet i kapur nga vetë KE në vitin 2018 dhe i cili ka prodhuar sulme të pashembullta në Evropë mbi shtetin e së drejtës siç ishin tentim puçi i 17 prillit 2017 apo “Skandali Reket” i vitit 2019 që nënkuptoi falimentimin përfundimtar të vetë parimit të shtetit të së drejtës. Natyrisht, përgjegjësia politike as nuk u vendos as nuk do të vendoset nga pushteti në ikje i cili është thellë i zhytur në këto sulme.

II. Politika e zgjerimit gjithashtu ka dështuar të prodhojë kohezion socio-ekonomik. Edhe përkundër miliardave euro të investuara nga BE në Ballkanin perëndimor, shtetet tona shënojnë performancë katastrofike në zhvillimin njerëzor dhe vazhdojnë të eksportojnë krim, varfëri dhe emigracion masiv drejt vendeve të BE-së, në kohën kur partitë ekstreme dhe anti-imigracion janë rritur ndjeshëm në shumicën e shteteve anëtare dhe po diktojnë debatin publik dhe politikën ditore. Në vendin tonë, gati një e katërta e popullsisë jeton në varfëri dhe rreth 10% të të punësuarve rrogat e tyre nuk u mjaftojnë për të dalë nga varfëria. Natyrshëm, kjo ka ndikuar që një e katërta e popullsisë sonë të largohet drejt shteteve perëndimore gjatë periudhës 1995 – 2015, me një trend në rritje gjatë viteve të fundit për shkak të humbjes së shpresës qytetare karshi kapjes së shtetit dhe rritjes së korrupsionit institucional. Kështu, majat e emigrimit janë arritur në vitin 2017 dhe 2018, me respektivisht 27,000 dhe 33,000 qytetarë të larguar vetëm drejt vendeve të BE-së.

III. Dhe mbase më e rëndësishmja, për dy dekada politika e zgjerimit ka qenë në auto-pilot dhe është shndërruar në një proces burokratik e teknokrat, i paaftë për të shtyrë reforma të mirëfillta dhe për të adresuar zhvillimet politike në vendet aspirante. Kjo ilustrohet me faktin se Maqedonia e Veriut që nga viti 2009, ka marrë vazhdimisht raporte të progresit pozitive dhe rekomandime për hapje të negociatave, madje edhe në vitet më të errëta të regjimit Gruveski-Ahmeti si dhe në mes të skandalit Reket, në shpërputhje totale me diagnozën e shtetit të kapur. Të përballura me këtë gjendje, vendet anëtare të BE-së, si fuqia vendimmarrëse për pranimin e anëtarëve të rinj në BE, tani hapur po shprehin dyshimet e tyre në lidhje me besueshmërinë dhe objektivitetin e vlerësimeve të KE-së. Vendet ballkanike në anën tjetër, nuk arritën ta kuptojnë këtë ndryshim paradigme dhe vazhduan të mbështeten në KE-në për të çuar agjendën e zgjerimit përpara, duke injoruar sinjalet nga kryeqytetet si Parisi dhe Haga. Qeveria e Kosovës i dhuroi 8,000 hektarë territor Malit të Zi dhe ajo e Maqedonisë së Veriut ndryshoi emrin e vendit bazuar në premtimet e KE-së për të fituar liberalizimin e vizave dhe një datë për hapje të negociatave respektivisht (kjo e fundit fitoi hyrejn në NATO megjithatë), dhe u gjenden tërësisht të papërgatitura kur shtetet anëtare të BE-së nuk përfillën premtimet e KE-së, shpeshherë të bazuara në politikën e mbylljes së njërit sy karshi korrupsionit dhe kapjes së shtetit përderisa avancoheshin synime që vlerësoheshin si gjeostrategjike apo më të rëndësishme sesa shteti i së drejtës.

Metodologjia e re e KE-së në mënyrë implicite i pranon këto dështime sistemore dhe propozon disa zgjidhje në mënyrë që të ndërtohet një konsensus i ri evropian rreth politikës së zgjerimit.

Një nga masat kryesore të propozuara nga KE është fokusi më i madh dhe më gjithëpërfshirës sa i përket shtetit të së drejtës. KE propozon ndryshimin e qasjes e negociatave të 35 kapitujve të legjislacionit evropian (“acquis communautaire”) veç e veç për të grupuar në klastera kapitujt e ndërlidhur. Klasteri i shtetit të së drejtës që tani do të quhej “çështjet themelore” do të përfshinte kapitullin 23 për gjyqësorin dhe të drejtat themelore, 24 për drejtësinë, 5 për prokurimin publik, 18 për statistikat, dhe kapitullin 32 për kontrollin financiar, si dhe fusha tjera relevante siç janë kriteret ekonomike, funksionimin e institucioneve demokratike dhe reformën e administratës publike. Apo thënë ndryshe, të gjitha çështjet themelore ku Maqedonia e Veriut dhe shumica e vendeve kandidate kanë dështuar të zbatojnë reforma domethënëse dhe të prekshme.

Sa i përket kohezionit socio-ekonomik, KE paralajmëron “një plan të madh të zhvillimit ekonomik për të gjithë rajonin” që do duhej të miratohej gjatë Samitit BE-Ballkan perëndimor të Zagrebit (maj 2020), i cili pritet të fokusohet në rritjen e investimeve, kohezionin socio-ekonomik, shtetin e së drejtës. Mbetet për t’u parë nëse ky plan do të ketë në dispozicion mjete adekuate financiare në përputhje me ambicien e deklaruar.

Sa i përket ripolitizimit të politikës së zgjerimit, propozimi i KE-së parashikon që shtetet anëtare do të ftoheshin të kontribuojnë në mënyrë më sistematike në procesin e anëtarësimit, përfshirë përmes monitorimit në terren nga ekspertët e tyre, kontributeve të drejtpërdrejta në raportet e progresit dhe përmes ekspertizës sektoriale. Propozimi parasheh gjithashtu që KE do të përcaktonte më mirë kushtet për shtetet kandidate, të cilat do më objektive, te detajuara, të rreptë dhe të matshme. Ky ndryshim metodologjik do të testohet që në fund të muajit shkurt kur pritet të botohen raportet e para të tillë për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Në fund, propozimi i KE-së parashikon sanksione në rast ngecje ose kthimi mbrapa në zbatimin e reformave dhe kushteve të procesit të pranimit. Shtetet anëtare dhe KE do të ishin në gjendje të propozonin një sërë masash, duke filluar nga pezullimi i fondeve të BE-së, deri në tërheqjen e koncesioneve tregtare dhe pezullimin e tërësishëm të negociatave.

Propozimi i KE tani u është prezantuar ambasadorëve të 27 vendeve anëtare në Bruksel dhe do t’i nënshtrohet procedurës legjislative në Këshillin e BE-së dhe Parlamentin evropian gjatë javëve dhe muajve në vijim. Nëse këto masa do të jenë të mjaftueshme për vendet anëtare të BE-së, mbetet për tu parë.

Me gjasë, disa shtete anëtare do të kërkojnë leva edhe më të forta për veten në kuadër të konkuzioneve të Këshillit të BE-së, ndërsa nuk është fare e sigurtë se lideret evropianë do të pajtohen me kërkesën e KE-së që dhënia e datës për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të trajtohet si proces paralel deri në muajin mars, pasi që disa shtete anëtare pritet të kërkojnë qartësi të plotë rreth metodologjisë së re përpara se të hapen negociata të reja, pa harruar faktin se çështja e ndarjes apo shkuarjes në paketë të dy shteteve në fjalë ende është zgjidhur. Meqë Samiti i Zagrebit nuk është forum i cili mund të miratojë vendime në lidhje me hapjen e negociatave, ndër tjerash për shkak të mosangazhimit të vendeve anëtare që nuk e njohin Republikën e Kosovës, vendimi për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të shtyhej deri në Keshillin evropian të qershorit 2020.

Pra, mbetet për t’u parë nëse ky konsensus i ri do të ketë sukses në transformimin e politikës evropiane të zgjerimit. Fokusi i ri në “çështjet themelore” dhe në kohezionin socio-ekonomik është i mirëpritur, por për të siguruar këtë kapacitet transformues, vendet anëtare të BE-së duhet të shkojnë një hap më larg se propozimi i KE-së duke ndërmarrë së paku hapat në vijim.

I. Në shtetin e së drejtës, raportet vjetore të modelit “Priebe” bazuar në qasjen e re të klasterizimit të çështjeve themelore duhet të shndërrohen në normë për të gjitha vendet kandidate. Misionet këshilluese dhe monitoruese të udhëhequra bashkarisht nga KE dhe vendet anëtare në fushën e antikorrupsionit dhe proceseve të ndjeshme politike gjithashtu duhet të gjeneralizohen në të gjitha vendet kandidate. Por këto nuk do të kenë asnjë vlerë nëse BE nuk zbaton politikë më agresive karshi korrupsionit institucional duke refuzuar bashkëpunimin me politikanë të dyshuar apo të dënuar për korrupsion, dhe duke ndërmarrë masa individuale kundër tyre si ndalimi i udhëtimit në hapësirën Schengen apo ngrirja e pasurive në vendet e BE-së.

II. Kur bëhet fjalë për kohezionin socio-ekonomik, BE duhet të rrisë bindshëm mbështetjen e saj financiare për fushat që lidhen me ekonominë e mirëqenies siç janë arsimi, shëndetësia dhe mbrojtja sociale. Asistenca e BE-së duhet të përqendrohet më pak në interesin ekonomik të BE-së dhe më shumë në investime afatgjata në kapitalin njerëzor dhe natyror të vendeve të Ballkanit perëndimor si inovacioni dhe arsimi profesional, agro-biznesi, ekonomia e gjelbër dhe sektorë të tjerë që do të na mundësojnë të mbajmë rininë dhe fuqinë punëtore të kualifikuar në vendlindje.

Javët dhe muajt në vijim do të jenë vendimtare për të ardhmen evropiane të Ballkanit perëndimor. Si zakonisht, politikanët e korruptuar nga rajoni do të përpiqen të rrëmbejnë procesin për të legjitimuar politikat e tyre korruptive dhe për të konsoliduar kapjen e shtetit, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut ku kanë mbetur vetëm edhe dy muaj deri në zgjedhjet e parakohshme që erdhën si pasojë e dështimit të reformave evropiane. Tani është koha që të gjitha forcat progresive në politikë dhe në shoqërinë civile t’u bëjnë thirrje vendeve anëtare të BE-së dhe përfaqësive të tyre në Shkup për një ndryshim rrënjësor të qasjes se deritanishme, në dobi vendeve kandidate dhe të vetë BE-së. Por më e rëndësishmja mbetet që qytetarëve të sanksionojnë politikanët e partitë politike të korruptuara në zgjedhjet e 12 prillit duke treguar kështu që evropianizimi i vendit na vjen nga brenda e jo si importim nga Brukseli.