Konjufca: Kosova e palëkundur në përpjekjet për integrim evropian, demokraci dhe barazi

Sot në Kuvendin Kosovës ka filluar takimi i 11-të i Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë.

Në fjalën e tij para anëtarëve të këtij komisioni, kryeparlamentari Glauk Konjufca, vlerësoi rolin e BE-së në nxitjen e bashkëpunimit rajonal, promovimin e rritjes ekonomike dhe mbështetjen e shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, siç ka thënë ai, duke shprehur përkushtimin për të punuar së bashku në adresimin e sfidave dhe avancimin e mëtejshëm të integrimit të Kosovës në BE.

Konjufca theksoi nevojën e vazhdimit të zbatimit të reformave në lidhje me sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.

“Ne kemi treguar tashmë përkushtimin tonë për të forcuar qeverisjen demokratike dhe për të siguruar që institucionet tona të jenë transparente, të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një komponent i rëndësishëm i bashkëpunimit tonë rajonal.

Ne jemi të përkushtuar të punojmë së bashku për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të promovuar paqen dhe stabilitetin në rajon. Ne besojmë se njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është pjesa thelbësore e marrëveshjes përfundimtare gjithpërfshirëse, si një parakusht i domosdoshëm që të dyja vendet të përparojnë në rrugët e tyre evropiane”, theksoi ai.

Konjufca tutje u shpreh se Kosova mbetet e palëkundur në përpjekjet e saj për integrim evropian, demokraci dhe barazi.

“Si përfundim, Kosova mbetet e palëkundur në përpjekjet e saj për integrim evropian, demokraci dhe barazi. Ne besojmë se BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor dhe u bëjmë thirrje vendeve anëtare të BE-së që t’i japin përparësi zgjerimit dhe të japin përfitimet e premtuara pasi të jenë plotësuar kushtet”, u shpreh ai.