Konjufca i kërkon LVV-së mandatarin për kryeministër

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca i ka kërkuar fitueses së zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje që të propozojë mandatarin për kryeministrin e ardhshëm të Kosovës.

“Në letër, u.d. presidenti Konjufca, duke iu referuar dispozitave kushtetuese dhe njoftimit të KQZ-së për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit, ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për ta krijuar Qeverinë e re”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga presidenca.

Letra që ushtruesi i detyrës së presidentit, Glauk Konjufca i ka dërguar Lëvizjes Vetëvendosje.
Letra që ushtruesi i detyrës së presidentit, Glauk Konjufca i ka dërguar Lëvizjes Vetëvendosje.

Kërkesa që Lëvizja Vetëvendosje të mandatojë kandidatin për kryeministër, vjen pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ku me 69 vota për, 33 kundër dhe asnjë abstenim, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh kryetar i legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.

Konsitutimi i kuvendit i hap rrugë formimit të ekzekutivit të ri, 37 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Pas zgjedhjes në krye të kuvendit, Konjufca mori edhe zyrtarisht postin e ushtruesit të detyrës së presidentit.

“Unë zotohem që do ta kryej detyrën time me nderë, përgjegjësi e përkushtim”, tha Konjufca, duke shtuar se ai nuk do të bëjë dallime ndërmjet deputetëve.

“Për mua do të ketë vetëm deputetë të barabartë të popullit të Kosovës”, shtoi ai.

Konjufca tha se për mbajtjen e seancës për zgjedhjen e qeverisë “do të njoftoheni me kohë”.

Menjëherë pas përfundimit të seancën konstituive, kryetarja e deritanishme e kuvendit, Vjosa Osmani ia barti kompetencat Glauk Konjufcës. Ndërkaq, ky i fundit tha se nuk e përjashton mundësinë që brenda disa orëve të mbahet seanca për zgjedhjen e ekzekutivit të ri.

Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës i propozon kuvendit kandidatin për kryeministër, i cili jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë para kuvendit për votim.

Lëvizja Vetëvendosje synon që menjëherë pas konstituimit të kuvendit, të procedohet me formimin e qeverisë, për të cilën nevojiten 61 vota.

 

Ndërkaq, me 107 vota për, gjashtë kundër, u zgjodhën edhe nënkryetarë të kuvendit nga tri grupet më të mëdha parlamentare, përkatësisht Saranda Bogujevci (LVV), Bedri Hamza (PDK) dhe Kujtim Shala (LDK). Nga komuniteti serb u zgjodh, Sllavko Simiq dhe Bekim Arifi nga komunitetet joserbe.

Seanca konstituive u udhëhoq nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari (Lëvizja Vetëvendosje) dhe deputetja më e re, Adelina Grainca (Partia Demokratike e Kosovës).

Në nisje të kësaj seance, Dehari u bëri thirrje të gjithëve që t’u përmbahen rregullave kundër pandemisë COVID-19.

Kuvendi fillimisht miratoi raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve. Të pranishëm në sallë në seancën konstituive ishin 114 deputetë, nga kuvendi prej 120 ulësesh. Pas verifikimit të mandateve, deputetët bën betimin.

Në këtë seancë konstituive ishin të pranishëm edhe diplomatët e akredituar në Prishtinë.

 

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit fitoi 50.28 për qind të votave apo 58 ulëse të kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tetë deputetë.

Nga komunitetet, Lista Serbe i ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar partitë boshnjake Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Unioni Socialdemokrat, sikurse edhe Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.

 

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se qeverinë do ta formojë me partitë e komuniteteve joserbe, duke përjashtuar kështu partitë shqiptare dhe Listën Serbe. Edhe në Qeverinë Kurti 1, Lista Serbe nuk kishte qenë pjesë e koalicionit qeverisës, por siç ia garanton edhe Kushtetuta, kjo parti që përfaqëson komunitetin serb, kishte udhëhequr dy ministri.

Megjithatë, presidentin e ri të shtetit, LVV-ja nuk mund ta zgjedhë e vetme. Për këtë post, kjo parti ka nominuar Vjosa Osmanin, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit fitoi më së shumti vota, përkatësisht mbi 300 mijë vota. Osmani që nga nëntori i vitit 2020 është ushtruese e detyrës së presidentit të Kosovës, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj, tashmë ish-presidentit, Hashim Thaçi.

Osmani dhe Kurti javën e kaluar kanë mbajtur takime konsultative me të gjithë përfaqësuesit e partive parlamentare, duke iu kërkuar atyre edhe votën për presidentin e ri.

 

PDK-ja ka thënë se nuk do ta votojë Osmanin për presidente, pasi e ka konsideruar atë si figurë “përçarëse”, ndërkaq AAK-ja e Ramush Haradinajt – i cili në zgjedhjet e 14 shkurtit bëri fushatë duke synuar postin e presidentit – ka thënë se i takon Osmanit dhe Kurtit që t’i bëjnë votat për ta zgjedhur kreun e shtetit.

Ish-partia e Osmanit, Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk e ka bërë të qartë se si do të veprojë për zgjedhjen e presidentit. Kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar një takim të ri me Osmanin, për të parë, siç ka thënë ai, qasjen e ish-bashkëpartiakes së tij ndaj LVV-së, partive opozitare dhe nismës politike që ajo ka paralajmëruar.

Ndërkaq, partitë e komuniteteve joserbe kanë shprehur mbështetjen e tyre për t’ia dhënë një mandat të plotë në krye të shtetit, Vjosa Osmanit.

Sipas Kushtetutës, që një person të zgjidhet president i Kosovës, në dy raundet e para të votimit duhet të sigurojë dy të tretat e votat (80) të Kuvendit të Kosovës prej 120 ulësesh. Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

 

Ndryshe, ekspertë kushtetues janë të ndarë lidhur me atë se a do të ketë kryetari i ri i kuvendit, mandat të ri gjashtëmujor si ushtrues detyre i presidentit, apo i njëjti duhet ta përfundojë atë më 5 maj.

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu vlerëson se kryetari i ri kuvendit, do të ketë mandat të përkohshëm gjashtëmujor.

Megjithatë, me këtë konstatim nuk pajtohet ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, i cili thotë se mandati gjashtëmujor, përfundon më 5 maj dhe nuk ka mandat shtesë.