Kongresisti Torres: Dialogu është kthyer në shpatë që Serbia po e përdor si armë kundër Kosovës

Kongresisti amerikan, Ritchie Torres, ka deklaruar të shtunën se dialogu Kosovë-Serbi është kthyer më shumë në shpatë sesa në mburojë.

Sipas tij, në vend se dialogu të veprojë si mburojë që mbron pavarësinë e Kosovës, është kthyer në shpatë që po përdoret nga Serbia si armë kundër Kosovës.

Torres në intervistën në Inside Albania, ka deklaruar se në një kohë kur ndikimi i Shteteve të Bashkuara është në rënie, ajo nuk duhet t’i marrë si të mirëqenë aleatët e saj, përfshirë Kosovën.

Torres, një anëtar i Partisë Demokratike, ka qenë një nga zërat e paktë të SHBA-së që ka qëndruar në mbështetje të Kosovës në mes të thirrjeve në rritje që Kosova të de-përshkallëzojë situatën në veri, nën kërcënimin e sanksioneve të SHBA-së dhe BE-së.

“Ne po jetojmë në një kohë ku ndikimi i Shteteve të Bashkuara mund të jetë në rënie dhe ne nuk mund t’i marrim aleatët tanë si të mirëqenë. Ne duhet të jemi proaktivë në ruajtjen e aleancave tona”, është shprehur kongresmeni amerikan.

Ai theksuar se Vladimir Putin është figura më popullore në Serbi dhe se një politikë e pajtimit me Serbinë nuk ka gjasa të rrisë ndikimin e SHBA-së apo BE-së brenda Serbisë.

“Kur shkoj në Kosovë, ka një ndjenjë të thellë mirëkuptimi dhe besnikërie ndaj Shteteve të Bashkuara. Me shaka kam thënë se në Kosovë ka më shumë dashuri për Shtetet e Bashkuara sesa në Shtetet e Bashkuara. Pse do ta hidhnim poshtë këtë mirëkuptim?”, ka shtuar Torres.

“Prioriteti më i lartë duhet të jetë sigurimi i njohjes së Kosovës si shtet i pavarur dhe integrimi i Kosovës së pari në Bashkimin Evropian dhe NATO e në fund të fundit në bashkësinë ndërkombëtare. Kjo duhet të mbetet politika e Evropës dhe e Shteteve të Bashkuara”, ka përfunduar ai.