Kongresi amerikan miraton buxhetin ushtarak pavarësisht kundërshtimeve nga Trump

Kongresi amerikan miratoi një buxhet prej 740,5 miliardë dollarë për mbrojtjen e SHBA në 2021, duke sfiduar kërcënimin për një veto nga Donald Trump.

Ligji buxhetor për mbrojtjen, i miratuar tashmë të martën nga Dhoma e Përfaqësuesve me një maxhorancë dërrmuese, mori 84 vota pro dhe 13 kundër në Senat.

Të dy votat bënë të mundur arritjen e “epërsisë” së votave të kërkuara në të dy dhomat për të anashkaluar një veto të mundshme presidenciale.

Para hyrjes në fuqi, ligji duhet tashmë të dërgohet në Shtëpinë e Bardhë që Trump ta nënshkruajë, por miliarderi republikan kërcënon me vendosjen e vetos, veçanërisht sepse nuk përfshihet heqja e një ligji, të njohur si “neni 230”, që mbron statusin ligjor të rrjeteve sociale, për të cilin ai akuzon të jetë i njëanshëm kundër tij.