Konflikti Transnistria dhe Ukraina: A po përhapet lufta?

Shpërthimet misterioze në Transnistria, një territor moldav i kontrolluar nga Rusia në kufi me Ukrainën, kanë ngritur frikën se lufta mund të përhapet jashtë shtetit ukrainas.

Autoritetet separatiste thanë se “infiltruesit” ukrainas ishin përgjegjës.

Por presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka fajësuar shërbimet speciale ruse, raporton bbc.

Rusia thotë se është e shqetësuar ndërsa ka rreth 1500 trupa në Transnistria. Një zyrtar ka thënë se rusishtfolësit në Moldavi po shtypen. Ky është i njëjti justifikim që përdoret për të justifikuar pushtimin e Ukrainës, transmeton Telegrafi.

Në dy ditët e fundit, thonë autoritetet e Transnistria, shpërthimet kanë synuar shtabin e tyre të sigurimit shtetëror në Tiraspol, antenat e radios që transmetonin lajmet në gjuhën ruse, një njësi ushtarake në Parçani dhe një fshat jashtë Tiraspolit.

Nuk u raportua për viktima, por tani në fuqi është alarmi “anti-terrorizëm”, që do të thotë siguri e shtuar në territor, i cili u shkëput nga Moldavia në një luftë të shkurtër në vitin 1992.

Kremlini thotë se po vëzhgon nga afër situatën dhe “është një shkak për shqetësim”.

“Por ne i kuptojmë aftësitë e tyre, Forcat e Armatosura të Ukrainës janë gati për këtë dhe nuk kanë frikë prej tyre”, tha Zelensky.

A është gati të përhapet lufta?

Një shpërthim në Transnistria mund të destabilizojë Moldavinë dhe të hapë një front të ri pas luftës në Ukrainë. Odesa, qyteti port i Ukrainës, shtrihet në lindje të Transnistrisë.

Të premten, një gjeneral i lartë rus, Rustam Minnekayev, tha se “kontrolli mbi jugun e Ukrainës është një tjetër rrugëdalje për në Transnistria, ku ka edhe raste të shtypjes së popullatës rusisht-folëse”.

Presidenti rus, Vladimir Putin është zotuar të “mbrojë” rusët etnikë në ish-republikat sovjetike. Ky ishte argumenti për pushtimin e Ukrainës. Moldavia ishte më parë një republikë sovjetike.

Sot aleati më i afërt i Moldavisë është Rumania, por, ndryshe nga Rumania, Moldavia nuk është në NATO apo Bashkimin Evropian. Shumë moldavë kanë pasaporta rumune dhe punojnë në BE.

Moldavia është një nga vendet më të varfra të Evropës. Ajo është gjithashtu shtëpia e shumë ukrainasve etnikë. Ajo ka pranuar më shumë se 437 mijë refugjatë ukrainas dhe ka popullsi prej 2.6 milionë banorëve.

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu është pro-BE-së, por paraardhësi i saj, Igor Dodon – i cili ka ende shumë mbështetës – ishte pro-rus, transmeton Telegrafi.

Moldavia ka ndaluar me ligj shfaqjen e shiritit të Shën Gjergjit dhe simbolin Z, i cili shihet në automjetet ushtarake ruse gjatë agresionit në Ukrainë.

Ku është Transnistria?

Rajoni separatist i Transnistria – një rrip i ngushtë toke midis lumit Dniestër dhe kufirit ukrainas – shpalli pavarësinë nga Moldavia në vitin 1990 – megjithëse komuniteti ndërkombëtar nuk e njeh si shtet të pavarur.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Moska krijoi pararendësin e Moldavisë, Republikën Socialiste Sovjetike Moldaviane, nga rajoni Dniestër kryesisht rusishtfolës, i cili kishte qenë pjesë autonome e Ukrainës, dhe rajoni fqinj i Besarabisë, i cili kishte qenë pjesë e Rumanisë që nga viti 1918- 1940.

Por ndërsa Bashkimi Sovjetik u shemb, alarmi u rrit në rajonin e Dniestër për nacionalizmin moldav dhe ribashkimin e mundshëm të Moldavisë me Rumaninë.

Kjo bëri që rajoni të shpallë pavarësinë prej Moldavisë.

Deri në 700 njerëz u vranë në një luftë të shkurtër kufitare midis Moldavisë dhe Transnistria – një armëpushim u nënshkrua në vitin 1992.

Zgjidhja u zbatua nga trupat ruse të vendosura në Transnistria.