Konfirmohet viktima e parë në Evropë nga koronavirusi

Një turist kinez ka humbur jetën në Paris pasi u infektua me koronavirusin COVID-19, gjë që shënon vdekjen e parë në Evropë që nga shpërthimi i epidemisë në Kinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Agnes Bouzin, ministrja franceze e Shëndetësisë, njoftoi se viktima është një turist 80-vjeçar nga provinca kineze Hubei, ku shpërtheu sëmundja.

Kinezi gjendej në karantinë nga 25 janari.

Vetëm tri vdekje janë konfirmuar deri më tani jashtë Kinës, në Hong Kong, Japoni dhe Filipine.

Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë (NHC) njoftoi sot se 143 njerëz kanë vdekur në 24 orët e kaluara nga sëmundja, duke e çuar numrin e vdekjeve nga virusi i rrezikshëm në 1.524.

Virusi supozohet se është transmetuar te njerëzit nga kafshët, veçanërisht lakuriqët.

Ai është përhapur në më shumë se 20 vende të tjera, si në SHBA, Britani, Singapor, Francë, Rusi, Spanjë dhe Indi.

Shumë vende, përfshirë Turqinë, kanë evakuuar qytetarët e tyre nga qyteti Wuhan, epiqendra e virusit, dhe zona të tjera të prekura të Kinës, duke i vendosur ata në karantinë dhe monitorim.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka shpallur epideminë një emergjencë ndërkombëtare shëndetësore.