Konfirmohet vdekja e parë jashtë Kinës nga koronavirusi

Një person ka vdekur nga koronavirusi në Filipine.
Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Filipinet, Rabindra Abeyasinghe deklaroi se një shtetas kinez i moshës 44-vjeçare ka vdekur pasi javën e kaluar ka shkuar tek mjeku në kryeqytetin Manila me shqetësimin e kollës dhe dhimbje fyti ku pas ekzaminimeve ishte diagnostikuar me koronavirusin e ri.

Njoftohet se personi që ka vdekur nga koronavirusi në Filipine është personi i parë që humb jetën nga ky virus jashtë Kinës.

Kujtojmë se nga epidemia e koronavirusit që është efektiv në të gjithë Kinën kanë vdekur 304 persona ndërsa janë prekur 14.380 të tjerë nga të cilët 2.110 në gjendje të rëndë.