Konfirmohen 4 raste të reja me koronavirus në Shqipëri

Shkon në 6 numri i të prekurve me koronavirus të konfirmuar zyrtarisht në territorin e Shqipërisë.

Ministria e Shëndetësisë informoi sot se gjatë ditës së hënë janë testuar edhe 14 raste të dyshuara për COVID-19, tetë prej të cilëve persona të kontaktit të ngushtë me dy rastet e konfirmuara me koronavirusin e ri në vendin tonë.

“Nga rezultatet e 14 testimeve të kryera në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, rezulton se 4 persona kanë rezultuar pozitiv për COVID-19, 3 prej të cilëve persona të familjes me 2 rastet e para që u konfirmuan të dielën në mbrëmje. Aktualisht të gjithë personat e tyre të kontaktit po mbahen në vetëkarantinim të detyruar dhe po ndiqen nga ekipet e epidemiologëve për gjendjen e tyre shëndetësore. Aktualisht gjendja e tyre rezulton pa probleme të veçanta” informon ministria e Shendetesise.

Rasti tjetër i konfirmuar ësht ë një 31-vjeçar me banim në Tiranë, që ka patur histori udhëtimi me Milanon 6 ditë më parë dhe është kthyer pas një qëndrimi të shkurtër njëditor në vendin fqinj.

“Ai po trajtohet bashkë në spitalin infektiv dhe gjendja e tij paraqitet pa probleme të veçanta” vijon Ministria e Shëndetësisë.

Deri tani janë testuar 77 raste dhe numri i atyre që kanë rezultuar pozitiv për COVID-19 është 6.

Duke vlerësuar punën e stafeve mjekësore në këto momente të vështira dhe garantuar gatishmërinë e shërbimit tonë shëndetësor sipas planit të hartuar mbi protokollin e OBSH-së, Ministria e Shëndetësisë fton qytetarët të ndjekin me kujdes rekomandimet zyrtare dhe të kujdesen posaçërisht për masat e higjienës personale.