Komuna e Gostivarit paguan të gjitha borxhet e Gjimnazit të Gostivarit

Pesë ditë pas publikimit të informacionit në Televizionin Globi, se gjimnazi i Gostivarit në kohë pandemie funksionon me llogari të bllokuar, shkollës i paguhet borxhi. Borxhin e ka paguar sot Komuna e Gostivarit. Gazmend Ismaili nga Sektori për financa dhe buxhet pranë Komunës së Gostivarit, bëri të ditur se shkolla ka pasur borxh të akumuluar ndër vite prej mbi 163.000 euro.

Shkolla ka pasur dy borxhe të trashëguara, i pari për ndërtimin e palestrës sportive dhe i dyti për largimin e disa mësimdhënësve nga puna, të cilët me gjyq kanë fituar dhe janë rikthyer në punë. Për katër vite, shkolla ka paguar vetëm për përmbarues mbi 20.000 euro.

Drejtori i Gjimnazit të Gostivarit, Mirsad Iseini tho se borxhi ishte paguar sot dhe nga dita e nesërme, respektivish pas plot tre vitesh shkolla do ti kthehet funksionimit normal.

Shkollës i mbetet edhe një borxh për rrymën eletrike prej mbi 300.000 denarë, para të siguruara poashtu nga Komuna e Gostivarit, ndërsa pagesa do të bëhet nesër.

Pas shlyerjes së borxhit shkolla menjëherë ka lidhur kontratë të re për të forcuar rrjetin e internetit, të cilën gjë nuk mund ta bënte në të kaluarën edhe pse ka pasur nevojë për shkak të zhvillimit më cilësor të mësimit i cili për shkak të pandemisë zhvillohet nga distanca.