Në pritje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara më 12 prill, vitin e ardhshëm, një pjesë e madhe e partive politike në vend kanë filluar të komunikojnë kushtet për koalicione të mundshme për qeverinë e ardhshme.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti nga Kongresi i katërt i partisë i mbajtur gjatë fundjavës së kaluar në Shkup, ku ishte rizgjedhur për lider i BDI-së, porositi se pa respektimin e Marrëveshjes kornizë si dhe të marrëveshjeve me Greqinë dhe Bullgarinë nuk duhet të konsiderojnë në koalicionin eventual me këtë parti. Tre marrëveshjet tha se i konsideron për çështje të mbyllura.
“Nuk ka as hapësirë e as kohë të shohim prapa, këto janë çështje të mbyllura dhe sigurojnë një të ardhme më të sigurt të RMV-së. Çdo tentim për vënien dorë të këtyre tre elementeve do të përballet me rezistencë dhe neve nuk do të na kenë partner pasi sillet në pikëpyetje e ardhmja e qytetarëve tanë dhe e brezave të ardhshëm”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka shtuar se BDI është në komunikim dhe bashkëpunim me të gjitha partitë politike, dallime ka pasur, ka edhe tani, por ka shtuar “dallimet nuk guxojnë t’i vendosin nën pikëpyetje interesat e shoqërisë dhe shtetit”. Ka paralajmëruar fitore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Më 12 prill do ta kemi edhe sprovën e parë, ku BDI do ta vulosë edhe fitoren e radhës. Siç e kemi dëshmuar për 18 vite edhe kjo që vjen më 12 prill do të jetë fitorja e radhës e partisë, si subjekt dhe lëvizje që ka ditë të mbajë balancat politike. Më 12 prill do të fitojnë qytetarët e RMV-së, sepse kemi ditur të balancojmë dhe të përballemi me vështirësitë më të”, ka thënë Ahmeti.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në intervistën për Radion Evropa e Lirë në pyetjen për mundësinë e koalicionit me BDI-në ka thënë se nëse VMRO-DPMNE fiton në zgjedhje kanë qëndrim parimor se do të bëjnë koalicion me çdo parti politike e cila do ta pranojë platformën e tyre, gjegjësisht programin politik.
“Do të ulemi, do të bisedojmë dhe do të negociojmë dhe pse jo edhe të koalicionojmë. Nuk kemi preferenca ndaj asnjërës, kemi relacione me të gjitha partitë politike të cilat janë përfaqësuese të shqiptarëve, kemi me parti politike të cilat nuk janë përfaqësuese të shqiptarëve, por të etnive të tjera etj., kështu që do të kemi program në tryezë dhe vi –za- vi me këtë program, nëse gjejmë një pikë të lidhjes, pse jo”, theksoi lideri i VMRO-DPMNE-së.
Ndërkohë, ministri për Transport dhe Lidhje i partisë qeveritare LSDM, Goran Sugareski dje ka deklaruar se fokusi i socialdemokratëve për momentin është në zbatimin e zgjedhjeve demokratike të 12 prillit, ndërsa për koalicionin do të vendoset pas zgjedhjeve.
“Ne jemi të koncentruar tani edhe në atë që më 12 prill të ndodhin zgjedhjet demokratike në të cilat jam i bindur se LSDM do të fitojë. Pjesa e koalicionit do të ndodhë pas kësaj”, tha Sugareski i pyetur nëse sërish hapet rruga për koalicionimin e LSDM-së me partnerin aktual të koalicionit BDI pas deklaratës së dhënë nga Ali Ahmeti./mia