Komandanti i KFOR-it e takon presidenten Osmani: Të koordinohemi për siguri

 

Presidentja Vjosa Osmani, është pritur në një takim nga komandanti i KFOR-it, Gjeneral-Majori Ozkan Ulutash, në selinë e KFOR-it në Camp Film City, në Prishtinë.

Siç njofton KFOR-i në X, Komandanti ka theksuar nevojën kruciale për koordinim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm mes KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës dhe organizatave të sigurisë të Kosovës për të garantuar siguri të qëndrueshme në mbarë Kosovën, për të mirën e të gjitha komuniteteve.

 

“Ai ritheksoi përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për zbatimin e përditshëm dhe të paanshëm të mandatit të tij të marrë nga OKB-ja. Ai gjithashtu nënvizoi përpjekjet e vazhdueshme të sigurisë të KFOR-it në mbështetje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga BE-ja”, u tha në këtë njoftim.

Dy ditë më parë, Ulutash zhvilloi takim edhe me kryeministrin Albin Kurti.