Koha e Liderëve të guximshëm dhe atdhetarë

Në këto kohë të zhvillimeve të mëdha politike, të rikonfigurimit të çështjes shqiptare, si nyja gordiane, si faktori determinat i zgjidhjes së problemeve të Ballkanit të trashëguara nga e kaluara, stabilitetit, paqes dhe sigurisë së tij, kremtimin e besëlidhjes së Lezhës e bëjnë sot një nga ngjarjet më të rëndësishme të politikës kombëtare. Realizimi i përpjekjeve të shqiptarëve të këtyre trojeve për të ruajtur identitetin kombëtar, të drejtat njerëzore e politike, por edhe për të konfirmuar statusin e merituar si njësi etnike autoktone në këto troje, burojnë pikërishte nga kjo besëlidhje. Për ta përkujtuar këtë datë dhe ngjarje të rëndësishme, u përkujdesën ata që synim e kanë bashkimin kombëtar apo konfirmimin e shtetëformësisë ku shqiptarët jetojnë, gjegjësisht Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti, lideri i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, dhe deputeti shqiptarë nga Lugina e Preshevës, Shaip Kamberi.
Që të tre sot ishin veshur gati se njëjtë, ndoshta brenda veshjes së tyre fshihej edhe një porosi gjithëkombëtare, ajo e Unifikimit.

A kishte një porosi ,,të fshehtë” veshja?

Kjo mënyrë e planifikimit të gjërave deri në perfeksion, duke përfshirë edhe nuancat e ngjyrave të veshjes, sikur eventi që ka pasur një nivel shumë të lartë të organizimit, flet për seriozitetin e idesë dhe peshës që i është dhënë.
Lidhja e Lezhës në historinë shqiptare shënon një hap përpara bashkimit politik të tokave shqiptare në një shtet të përqëndruar, me të cilin arrin pikën kulmore tradita shtetërore në mesjetën shqiptare. Për më shumë vite e shekuj e edhe sot ky kuvend merret si shembull i krijimit dhe mbajtjeve të kuvendeve me karakteristika shqiptare demokratike, në të cilat vendos shumica e pjesëmarrësve dhe udhëhiqen nga një i ri që respekton mendimet e pleqërisë shqiptare.
Rrethanat në të cilat e përshkojnë Ballkanin Perëndimor, na detyrojnë që të ngremë një dozë nacionalizmi të moderuar(jo në modelin arkaik e të maskave), por të atillë qe nënkupton kultivimin e vlerave kombëtare në gjeografinë shqiptare. Ndoshta kjo ishte porosia e liderëve më me ndikim shqiptar në rajon që u mblodhën sot në Lezhë. Për të arritur këtë, kërkohet ndryshim rrënjësor në elitën tonë politike, në kontekst të të cilit duhet të vijnë në skenë liderë të guximshëm, të mençur dhe atdhetarë si Albin Kurti, Ziadin Sela e Shaip Kamberi, në mënyrë që të kultivohet politikë e pastër kombëtare, pa ndikime “oportuniste” nga jashtë. Këta liderë që sot gëzuan shumë shqiptarë, përfshirë dhe ato të Lezhës, treguan se kohezioni brendakombëtar duhet mbështetur në konceptin etnohistorik dhe gjeopolitik, në mënyrë qe çështja kombëtare shqiptare të hyjë në epokën e re të frymës së bashkimit të natyrshëm nacional.