Kështu nënshkruhen në letër të bardhë gjatë seancës plenare, deputetët e VMRO-DPMNE-së, e cila më vonë do të plotësohet si amendament. Kjo do të bllokojë miratimin e propozim-ndryshimeve të një sërë ligjesh. Opozita maqedonase njoftoi se ka dorëzuar mbi 1300 amendamente për ndryshimet e propozuara në Kodin Zgjedhor dhe që kanë të bëjnë me ndryshimin e modelit në një njësi zgjedhore dhe lista të hapura të kandidatëve për këshilltarë komunash. Me nismë të ngjashme edhe BDI-ja e cila do të dorëzoi madje pesë mijë amendamente. Deputetët Artan Grubi dhe Antonio Milloshovski thonë se partitë e tyre nuk mund të lejojnë që ndryshimet e Kodit Zgjedhor të bëhen pa konsultime me partitë më të mëdha.
Propozimi i ndryshimeve në Kodin zgjedhor vetëm dy muaj para shpërbërjes së Kuvendit do të thotë se partia kryesore qeverisëse vetëm dëshiron ta dalë e larë para partive më të vogla, për atë që e ka premtuar në program zgjedhor, vetëm sipërfaqësisht ta vendos në rend dite duke e ditur që në esencë nuk ka kushte të kalojë- deklaroi Antonio MIlloshovski, VMRO-DPMNE.
Për arsye se shqiptarët humbin mesatarisht nga tetë deri në 10 deputetë në proces zgjedhor nëse Maqedonia është një njësi zgjedhore dhe këtë duhet ta dinë të gjitha partitë politike shqiptare, të gjithë qytetarët shqiptarë për arsye se ekziston një perceptim dhe besim i gabuar. Ç’do stimulim përfshirë edhe ky i fundit që është bërë tregon që shqiptarët humbin 10 deputetë nga fuqia e përgjithshme e shqiptarëve në këtë Kuvend- tha Artan Grubi, BDI.
Deputeti i LSDM-së Kostadin Kostadinov, akuzoi VMRO-në se vazhdon me politika destruktive për të bllokuar punën e Kuvendit dhe demokratizimin e vendit. Ai i bëri apel BDI-së dhe deputetëve të tjerë që të tërheqin amendamentet.
I bëj thirrje edhe partnerit tonë të koalicionit, ta rishqyrtojë hapin dhe ti tërheq amendamentet deri në fillim të komisionit për Sistem politik dhe të kemi në suaza të komisionit debat esencial. Dhe të gjithë ne, jo vetëm partnerët e koalicionit, por u bëj thirrje edhe deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe partisë së tyre që ti tërheqin amendamentet dhe të vendosemi në funksion të shtetit, të demokracisë dhe më e rëndësishmja qytetarët- pohoi Kostadin Kostadinov, LSDM.
Kostadinov po ashtu akuzoi VMRO-DPMNE-në se me mbi katër mijë amendamente, bllokon edhe Ligjin për Akademinë për gjykatës dhe prokuror publik, me çka dëshmon se dëshiron të mbrojë krimin e funksionarëve të partisë. VMRO-DPMNE, thotë se më këtë propozim/ndryshim të ligjit pushteti përpiqet të kontrollojë studentët që do të regjistrohen në këtë akademi. Opozita Maqedonase paralajmëroi amandemente edhe për Ligjin për Shërbimet për prokurorinë publike dhe ligje të tjera. Në seancë plenare me votat e opozitës dhe pushteti u emërua kreu i ri i Entit Shtetëror të Revizionit Maksim Acevski. Ai para deputetëve u zotua për punë profesionale. Ndërkohë me shumicë votash edhe përskaj kundërshtimit të opozitës, Vesna Dameva u emërua anëtare e Këshillit gjyqësor, si propozim i Presidentit të shtetit. Ranë propozimet për zgjedhjen e zëvendësve të ri të Avokatit të popullit.