Koalicioni ASH-AAA i bën thirrje Ministrisë së Arsimit: Largoni duart e partisë nga shkollat

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë mbajtur konferencë për shtyp me rastin e 7 marsit, ditës së mësuesit.

Ja dhe komunikata e plotë:

Dua ta filloj këtë konferencë shtypi duke uruar 7 Marsin për të gjithë mësimdhënësit e duke uruar që gjendja në të cilën ndodhen ata të përmirësohet sa më shpejt!

Për fat të keq, kjo pandemi, që e ka goditur gjithë globin, e ka gjetur Maqedoninë e Veriut me siklete të mëdha dhe ne kemi mbivendosje të problemeve, të cilat reflektohen pa dyshim edhe në arsim.

Figura e arsimtarëve shpesh është bërë viktimë e menyve partiake, duke e kthyer shkollën në një vendtregtim të trishtuar.

Sidoqoftë, në këtë ditë gjejmë rastin të rreshtohemi në krah të mësuesve për t’i mbrojtur të drejtat e tyre, të cilat preken dhe cenohen shpesh nga vendime e veprime të diktuara nga pasioni politik dhe jo nga rezoni intelektual.

Shkarkimet dhe emërimet e tyre sipas motit ose ngjyrës së qiellit, denigrimet dhe sulmet ndaj tyre, disa herë të shoqëruara me dhunë fizike, përballë një pushteti që hesht, përbën një skandal të trishtuar, faturën e të cilit e paguajnë fëmijët tanë!

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa i bën thirrje Ministrisë së Arsimit dhe çdo institucioni shtetëror që e ka përgjegjësinë e menaxhimit të kushteve të arsimtarëve, që t’i largojnë duart e partisë dhe preferencat e pushtetit nga shkolla dhe mësimdhënësit!

Mësuesit duhet të kenë autonomi absolute në trajtimin intelektual e pedagogjik të nxënësve të tyre. Pagat e tyre duhet të jenë më të larta, sepse ata kanë një vend të veçantë në shoqëri dhe një vend të rëndësishëm mirënjohjeje që zgjat gjithë jetën!

Ne gjykojmë se asgjë nuk është më urgjente sesa konsolidimi i një sistemi arsimor të mirë. Arsimi është në rrezik dhe ky është një alarm që nuk zgjidhet me asnjë vaksinë nëse shteti nuk ndërhyn.

Ne jemi të sigurt se thirrjes sonë i bashkohen qindra e mijëra prindër, të cilët pavarësisht gjuhës, fesë ose kombit janë të gjithë të përkushtuar ndaj ndryshimit të statusit të arsimtarëve, të cilëve duhet t’u kthehet dinjiteti i nëpërkëmbur…

Respektoni mësuesit sot që nesër të jeni krenarë për fëmijët tuaj!

Duke uruar që në 7 Marsin tjetër të kemi më shumë arsye për të uruar sesa fakte për të denoncuar, e mbyllim këtë konferencë për shtyp duke ia kujtuar secilit se një mësues ka në dorë edukimin e shtetit të ardhshëm!

Mirënjohje për të gjithë mësuesit!

Ju faleminderit!