Koalicioni Aleanca për Shqiptarët & Alternativa i intensifikojnë aktivitetet

Në ditët kur po pritet rënia e pandemisë dhe derisa flitet për datën e zgjedhjeve, sot një delegacion i Aleancës për Shqiptarët, i kryesuar nga kryetari Ziadin Sela, ishte në takim në selinë e Alternativës, ku u prit nga kryetari Afrim Gashi.
Tema e takimit ishte përballja me koronavirusin, si dhe organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në lidhje me epideminë, të dy kryetarët konstatuan se përkundër faktit se sëmundja është vendosur nën kontroll, shifrat e ditëve të fundit flasin se akoma jemi larg për ta shpallur si të mbyllur këtë temë. Përveç se paraqet lajm të hidhur për shëndetin e qytetarëve, kjo detyrimisht ndikon edhe në agjendën e zgjedhjeve. Të dy kryetarët konstatuan se shëndeti i qytetarëve është mbi çdo interes tjetër, përfshirë edhe atë politik. Prandaj, ata e ripërsëritën qëndrimin se zgjedhjet nuk guxojnë të mbahen në këso kushte dhe se në asnjë mënyrë nuk guxojmë ta vëmë në rrezik shëndetin e tyre. Rrjedhimisht, duke iu referuar të gjitha analizave faktike, të bëra nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, mund të konstatohet se fundi i korrikut dhe fillimi i gushtit mbase mund të jetë koha më e volitshme kur qytetarët do të kenë mundësi për ta shprehur vullnetin e tyre të lirë politik. Madje, nëse edhe në këto data nuk janë pjekur kushtet, për koalicionin më i rëndësishëm shëndeti sesa zgjedhjet.

Përveç kësaj, dy kryetarët e konstatuan gatishmërinë e tyre politike për të marrë pjesë në zgjedhje kurdo që të caktohen ato, të bindur se pas ngadhënjimit mbi pandeminë tash është koha edhe për ndryshimin e shumëpritur në skenën politike të vendit tonë.
Në takim ishin të pranishëm edhe sekretarët e përgjithshëm të partive, Arben Taravari dhe Skender Rexhepi – Zejdi, nënkryetari i Aleancës, Elmi Aziri, si dhe Sekretari për Marrëdhënie me Opinionin i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi.