Lajmi se legjenda e Liverpoolit, Kenny Dalglish ka testuar pozitiv me COVID-19 ka qenë shokues për lojtarëat dhe stafin e klubit, ka thënë kryetrajneri Juergen Klopp.
Daglish 69-vjeçar ka rezultuar pozitiv me koronavirus javën e kaluar, pasi ishte shtruar në spital me një infeksion. Ai u trajtua me antibiotikë në mënyrë intravenoze, por ishte asimptomatik dhe u kthye në shtëpi në fundjavë.
“Ishte shok i vërtetë kur dëgjova lajmin. Djemtë e dërguan në grupin në WhatsApp dhe të gjithë mbetëm të shtangur”, ka thënë Klopp për faqen zyrtare të Liverpoolit. “Ajo që ndjenë në atë moment është dallim i madh nëse e njeh dikë që është infektuar me virus dhe nëse nuk e njeh. Ne të gjithë e dimë se kjo sëmundje e tmerrshme po shkakton dhembje në zemër në gjithë botën, por kjo ishte hera e parë për shumicën nga ne që kishim një lidhje kaq personale me dikë të prekur”.
Premier League është pezulluar në afat të pacaktuar shkaku i koronavirusit. Liverpooli gjendet në krye me 25 pikë epërsi.
Klopp ka vazhduar seancat stërvitore online dhe ka thënë se lidhja sociale, përfshirë edhe këngët për ditëlindje, po ndihmojnë skuadrën të përballojë këtë situatë izolimi.
“Unë kurrë nuk kam menduar se do të shijoja aq shumë seancat stërvitore. Djemtë janë në frymë të mirë. Kur nisim në ora 10, ‘chati’ hapet në ora 9:30 dhe gati të gjithë janë online në atë kohë. Gjëja më e mirë që e kemi këtë situatë në vitin 2020, është se kemi këtë mundësi teknike. Paramendoni po të ishim në vitet 80-ta apo diçka të tillë, do të ishte vërtetë çmenduri. Jo për shkak të futbollit, por për shkak të gjithë kontakteve sociale dhe bashkëveprimeve që mund të kemi dhe po aplikojmë në këto momente. Është dallim i madh”, ka thënë Klopp.