Klekovski: Përafërsisht 600 euro në vit për cigare, më shumë sesa për sigurimin shëndetësor

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, ka paralajmëruar se një duhanpirës mesatar në Maqedoni shpenzon mbi 600 euro në vit për cigare, më shumë sesa shuma që paguhet për sigurimin shëndetësor.

Sipas tij, rreth gjysma e popullsisë së rritur konsumon duhan, ndërsa kjo situatë është e paqëndrueshme, pasi qytetarët shpenzojnë më shumë para për një zakon që dëmton shëndetin sesa për mbrojtjen e tij.

Klekovski këtë deklaratë e bëri në konferencën kombëtare kushtuar politikave për uljen e konsumit të duhanit, të organizuar nga Analitika Think-Tank në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Ai theksoi se çmimi dhe qasja e lehtë te cigaret janë faktorë të rëndësishëm, duke paralajmëruar se ligji i ri për mbrojtjen nga duhani parasheh kufizime të reklamimit dhe ekspozimit të produkteve të duhanit.

Ministri veçoi edhe mbrojtjen e të miturve, duke kërkuar konsensus shoqëror për ndalimin e pirjes së duhanit në hapësira të mbyllura dhe ndalimin e shitjes së produkteve të duhanit për personat nën 18 vjeç. Sipas të dhënave të përmendura, më shumë se dy të tretat e të miturve që kanë tentuar të blejnë cigare nuk janë refuzuar.