Kinë, ndërmarrjet e huaja po rifillojnë punën rregullisht

Ditët e fundit, me një sërë politikash mbështetëse, ndërmarrjet me investime të huaja në Kinë gradualisht kanë rifilluar punën. Ndërkohë, një numër projektesh të reja të investitorëve ndërkombëtarë janë në zbatim e sipër.

Fabrika e “Samsung”-ut për prodhimin e gjysmëpërçuesve, në parkun industrial të qytetit Suzhou të provincës Jiangsu të Kinës Lindore, prodhon 20% të mikroçipave të RAM-it në botë. Deri më 20 shkurt, 95.1 % e stafit të fabrikës ishte kthyer në punë. Por furnizuesit e lëndëve të para të fabrikës, për shkak të epidemisë, nuk ishin në gjendje t’i ofronin materiale të mjaftueshme. Pasi mësuan për këtë, bashkia dhe sektorët përkatës të Suzhou-t u koordinuan menjëherë me dy furnizues që ndodhen afër Suzhou-t dhe mungesa e lëndëve të para u zgjidh.

Lidhur me këtë, zv.kryemenaxheri i fabrikës Li Chengchuan tha:

“Kemi besim të plotë te efektshmëria e administrative e parkut dhe e pushtetit vendor. Jo vetëm punonjësit tanë kinezë, por edhe kolegët jugkoreanë kanë të njëjtin mendim.”

Sipas një sondazhi të bërë nga Shoqata e Investimeve të Huaja e Shangait, 90 % e 697 ndërmarrjeve kryesore me investime të huaja në qytet, 90% e investitorëve kryesorë në sektorin e shërbimeve,70 % në manifakturë dhe gati 90 % e degëve të 500 kompanive kryesore botërore në Shangai kanë rifilluar punën.

Ndihmësministri kinez i Tregtisë Ren Hongbin bëri të ditur ditët e fundit se një sërë politikash mbështetëse nga autoritetet vendore të Kinës po arrijnë rezultate. Në vijim, qeveria do të ndihmojë më shumë ndërmarrje me investime të huaja të rifillojnë punën hap pas hapi, sidomos ato që zënë pozicion të rëndësishëm industrial për të garantuar qëndrueshmërinë e zinxhirit global të furnizimit.

“Do t’i kushtojmë vëmendje realizimit të projekteve të mëdha të investimeve, duke ndjekur ngushtë procesin e bisedimeve, duke nxitur zbatimin e atyre që janë në kryerje e sipër dhe duke zgjidhur problemet që pengojnë përparimin e këtyre projekteve. Do të zgjerojmë fushat për investimet e huaja, duke shtuar pjesëmarrjen e investitorëve të huaj në telekomunikacion, shëndetësi, arsim, kulturë dhe financa. Do të vazhdojmë të përmirësojmë mjedisin e investimeve, duke forcuar besimin e investitorëve të huaj për zhvillimin afatgjatë të ndërmarrjeve në Kinë”, shtoi z. Ren.