Kina thotë se më shumë se 3,000 qytetarë të saj janë larguar nga Ukraina

Më shumë se 3,000 shtetas kinezë në Ukrainë janë zhvendosur në mënyrë të sigurtë në vendet fqinje, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në një konferencë për media të enjten.

Ndryshe nga shumë vende, Kina nuk u tha afërsisht 6,000 qytetarëve të saj në Ukrainë që të largoheshin para nisjes së sulmit rus në Ukrainë, më 24 shkurt.

Më vonë, shumë qytetarë kinezë u evakuuan në rrugë tokësore.

“Ajo që dua t’u them të gjithëve është se qeveria kineze i kushton rëndësi të madhe sigurisë së shtetasve kinezë në Ukrainë dhe është e shqetësuar në çdo kohë nëse ata janë në siguri apo rrezik,” tha zëdhënësi Wang Wenbin në konferencën e përditshme më 3 mars.

Ai falënderoi vendet fqinje me Ukrainën që lejuan kinezët të hynin dhe të qëndronin atje përkohësisht. Ai nuk identifikoi asnjë shtet.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt duke u goditur më pas me një valë sanksionesh nga shtetet perëndimore.

Kina është në pozitë të vështirë diplomatike që prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, pasi ende nuk e ka dënuar pushtimin e Rusisë, që është një aleate e ngushtë e Pekinit.