Kina shton masat për kontrollin e epidemisë

Kina shton masat për kontrollin e epidemisë.

Shoqata e Turizmit e Kinës tha se vendi ka ndaluar të gjitha grupet turistike dalëse që nga e hëna.

Autoritetet kineze kanë pezulluar edhe grupet turistike në mbarë vendin, për të pakësuar fluksin e udhëtarëve dhe përhapjen e epidemisë.

Ndërkohë, Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë i ka kërkuar secilit që udhëton nga qyteti Wuhan të regjistrojë në qendrat shëndetësore të lagjes dhe të qëndrojë në shtëpi për 14 ditë.

Hulumtimet kanë treguar se virusi është infektues gjatë periudhës së inkubacionit, që shkon nga një deri në 14 ditë.

************

Autoritetet kineze shpallën planin për zgjatjen e pushimeve me rastin e Festës së Pranverës (Vitit të Ri Kinez), për të ndihmuar në kontrollin e përhapjes së epidemisë së koronavirusit.

Pushimet, që filluan nga e premtja e kaluar dhe ishin planifikuar të përfundonin këtë të enjte, do të zgjaten deri të dielën.

Në Pekin, autoritetet bashkiake të arsimit deklaruan shtyrjen e fillimit të semestrit pranveror deri në një njoftim të mëtejshëm.

Autoritetet e komunikacionit të Pekinit bënë të ditur se në përgjithësi kryeqyteti kinez ka mbajtur trafikun normal me jashtë. Qyteti nuk është izoluar dhenuk do të izolohet.

*********

Shkencëtarët kinezë kanë zbuluar koronavirusin e ri që shkakton pneumoninë në 33 nga afro 600 mostrat e marra nga një treg i produkteve të detit në Wuhan, epiqendra e epidemisë.

Shumica e mostrave ishin nga një zonë e tregut ku shiteshin kafshë të egra.

Njëkohësisht, autoritetet kanë ndaluar edhe tregtimin e kafshëve të egra në mbarë vendin.

************

Qendra e Kontrollit dhe e Parandalimit të Epidemive e Kinës deklaroi se ka nisur prodhimin e vaksinës kundër koronavirusit të ri.

Tani virusi është veçuar dhe po kryhet procesi i identifikimit të llojit për kultivim për prodhimin e vaksinës.

Kërkuesit thanë se po testojnë gjithashtu ilaçet kundrejt pneumonisë së shkaktuar nga ky virus dhe po studiojnë ndryshimin e virusit.

************

Ministria e Jashtme kineze ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara kanë paraqitur një propozim për të evakuuar stafin e konsullatës amerikane në Wuhan, në kushtet e shpërthimit të epidemisë së koronavirusit.

Zëdhënësja Hua Chunying thotë se Kina do të bëjë marrëveshje dhe do të sigurojë ndihmë për palën amerikane në përputhje me praktikën ndërkombëtare dhe dispozitat e parandalimit të epidemisë.

Qeveria franceze gjithashtu ka njoftuar se do të riatdhesojë nga Wuhan-i qindra qytetarë të saj, të cilët do të çohen me një fluturim të drejtpërdrejtë në Francë dhe më pas do të futen në karantinë për 14 ditë.

********

Deri në mesnatën e 26 janarit, Kina ka raportuar 2 744 raste të konfirmuara të pneumonisë së shkaktuar nga koronavirusi i ri, 461 e të cilave të rënda.

Pneumonia ka shkaktuar 80 të vdekur, ndërkohë që 51 veta janë shëruar dhe kanë dalë nga spitali. 5794 veta dyshohen si të infektuar, ndërsa mbi 30 mijë të tjerë janë nën vëzhgimin e mjekëve.

Raportohen edhe 3 raste të konfirmuara në Francë, 3 në ShBA, 4 në Australi, 7 në Tajlandë, 3 në Japoni, 3 në Korenë e Jugut, 2 në Vietnam, 4 në Singapor dhe 1 në Nepal.

***********

Zëdhënësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tarik Jasarevic vuri në dukje se tani është ende herët për vlerësimin e shkallës së rrezikshmërisë së virusit.

Zëdhënësi shtoi se OBSh-ja mund të marrë parasysh trajtimet dhe vaksinat kundër Sindromës së Frymëmarrjes të Lindjes së Mesme për përdorim të mundshëm kundër koronavirusit të ri.

OBSh-ja tha javën e kaluar se sëmundja virale nuk përbën ende një emergjencë shëndetësore globale.