Kina dhe vendet e Europës Qendrore e Lindore, videokonferencë për epideminë

Në konferencën e shtypit të organizuar të enjten, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Zhao Lijian foli lidhur me videokonferencën e jashtëzakonshme të zhvilluar prej ministrave të shëndetësisë të Kinës dhe të 17 vendeve të Europës Qendrore e Lindore për epideminë e COVID-19. Në këtë videokonferencë pala kineze u shpreh e gatshme për ta shndërruar sektorin e shëndetësisë në pikën e re të rritjes dhe shtyllë të bashkëpunimit Kinë-EQL.

Zhao Lijian tha se kjo videokonferencë përbën një mbledhje tjetër të rëndësishme në kuadër të mekanizmit “17+1” mes Kinës e vendeve të EQL-së për ndarjen e përvojës kundër epidemisë, pas zhvillimit të suksesshëm në mars të videokonferencës së ekspertëve të kësaj fushe. “Pjesëmarrësit paraqitën gjendjen e epidemisë në vendet e tyre dhe pohuan plotësisht bashkëpunimin dhe ndihmën e ndërsjellë mes tyre për përballimin e sfidës epidemike, duke propozuar plane për bashkëpunimin e ardhshëm. Kina u shpreh se dëshiron të forcojë konsensusin me vendet e Europës Qendrore e Lindore, të përkrahë rolin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të zhvillojë aktivisht bashkëpunimin ndërkombëtar dhe atë ndërinstitucional, për ta shndërruar sektorin e shëndetësisë në pikën e re të rritjes dhe shtyllë të bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse në mekanizmin ’17+1′ , duke krijuar bashkësinë e shëndetit e mirëqenies të njerëzimit,” u shpreh Zhao Lijian.

Ai shtoi se shumë vende kanë shprehur shpresën për forcimin e pandërprerë të bashkëpunimit e të shkëmbimeve në luftën kundër epidemisë nëpërmjet platformës së bashkëpunimit “17+1” etj., duke paraqitur projektin e zgjidhjes globale në mënyrë shumëpalëshe.