Kina dhe ShBA-ja bien dakord për tekstin e marrëveshjes së fazës së parë

Falë përpjekjeve të përbashkëta të ekipeve ekonomike-tregtare kineze dhe amerikane, të dy palët kanë arritur një marrëveshje mbi tekstin e marrëveshjes ekonomike dhe tregtare të fazës së parë midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, mbi bazën e parimeve të barazisë dhe respektit të ndërsjellë. Teksti i marrëveshjes përfshin nëntë pika: preambulën, pronësinë intelektuale, transferimin e teknologjisë, ushqimet dhe produktet bujqësore, shërbimet financiare, kursin e këmbimit dhe transparencën, zgjerimin e tregtisë, vlerësimet dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe klauzolat përfundimtare. Në të njëjtën kohë, të dy palët arritën marrëveshje që Shtetet e Bashkuara të përmbushin angazhimet e tyre përkatëse për të anuluar rritjen e tarifave për produktet kineze në faza dhe të realizojnë kalimin nga rritja në uljen e tarifave.
Pala kineze beson se Kina dhe Shtetet e Bashkuara, si dy ekonomitë më të mëdha në botë, duhet të merren me marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis tyre bazuar në situatën e përgjithshme. Përfundimi i mosmarrëveshjeve ekonomike-tregtare është në interesin themelor të popullit kinez dhe të popullit amerikan, si edhe të popujve të botës, dhe do të ketë një efekt pozitiv në ekonomi, tregti, investime e tregjet financiare. Kjo marrëveshje është në përgjithësi në përputhje me drejtimin e përgjithshëm të thellimit të Reformës e Hapjes të Kinës dhe nevojat e saj të natyrshme për të promovuar zhvillimin ekonomik me cilësi të lartë. Zbatimi i përmbajtjes përkatëse të marrëveshjes do të ndihmojë në forcimin e mbrojtjes së pronësisë intelektuale, përmirësimin e mjedisit të biznesit, zgjerimin e hyrjes në treg dhe mbrojtjen më të mirë të të drejtave dhe interesave ligjore të ndërmarrjeve të ndryshme, përfshirë kompanitë e huaja, në Kinë, si edhe të të drejtave ligjore të kompanive kineze në aktivitetet ekonomike dhe tregtare të tyre në ShBA. Me zgjerimin e tregut të brendshëm të Kinës, kompanitë kineze kanë rritur importet e tyre të produkteve dhe shërbimeve konkurruese me cilësi të lartë nga vende të ndryshme, përfshirë Shtetet e Bashkuara, në përputhje me rregullat e OBT-së dhe parimet e tregut, për të përmbushur nevojat në rritje të njerëzve për një jetë më të mirë. Kjo marrëveshje është e favorshme për forcimin e bashkëpunimit midis Kinës e Shteteve të Bashkuara në fushën ekonomike dhe tregtare, duke kontrolluar dhe zgjidhur në mënyrë efektive dallimet në fushën ekonomike dhe tregtare, dhe duke promovuar zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare Kinë-ShBA. Në kontekstin e presionit aktual të rënies së ekonomisë globale, kjo marrëveshje ndihmon për të rritur besimin e tregut global, duke stabilizuar pritjet e tregut dhe duke krijuar një ambient të mirë për aktivitetet normale ekonomike e tregtare dhe të investimeve.

Të dy palët ranë dakord që, në hapin tjetër, të përfundojnë sa më shpejt procedurat e nevojshme, siç janë rishikimi juridik dhe verifikimi i përkthimit, dhe të negociojnë rregullimet specifike për nënshkrimin zyrtar të marrëveshjes.

Pasi të nënshkruhet marrëveshja, shpresohet që të dy palët ta respektojnë atë dhe të përpiqen të zbatojnë përmbajtjet përkatëse të fazës së parë të marrëveshjes, të bëjnë më shumë gjëra në të mirë të zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe ekonomike e tregtare dhe të stabilitetit ekonomik e financiar global, si edhe të ruajtjes së paqes dhe prosperitetit botëror.