Para disa orëve Kim Mehmeti me anë të një postimi në rrjetin social fejsbuk i është përgjigjur akuzave të cilat i janë bërë ditëve të fundit nga disa portale.
Ja postimi i tij i plotë tij:
“T’i informoj ata që nuk e kanë lexuar: sipas hulumtimit të një portali maqedonas, zhvatës më të mëdhenj të parave të shtetit dhe shantazhues më të egër të qeveritarëve shqiptarë në Maqedoni, na paskan qenë familjarët e mi?! Dhe do vdisja e nuk do e dija këtë të vërtet që ngutshëm e përkthyen dhe e ribotuan thuajse të gjithë portalet e këtushmëm në gjuhën shqipe, për çka u jam mirënjohës dhe i përgëzoj për guximin që të publikojnë diçka që e dëshmon keqqeverisjen e regjimit DPMNE-BDI dhe të qeverisë së sotme LSDM-BDI. Sipas këtij shkrimi del se Maqedonia është shtet ku çmohet mendimi kritik, pra se është vend ku lëre që nuk e pëson, por shpërblehesh pse pohon se drejtuesve leninistët e injorantë të BDI-së si dhe, ‘babës’ së rrugaçërisë partiake, kryetarit të PDSH-së, nuk u pengon kriminalizimi dhe akulturimi i shoqërisë shqiptare, pra del se paguhesh shtrenjtë pse thua se, të përqendruar në thellësinë e xhepit të vet, drejtuesve të këtyre partive as që u bënë përshtypje përhapja e drogës nëpër vendbanimet shqiptare, zbrazja e trojeve të këtushme shqiptare, e aq më pak t’i shqetësojë zhbërja e vlerave që na identifikojnë ata që jemi, me atë që kemi. Del pra se shpërblehesh pse publikisht e thua se drejtuesit e këtyre dy partive janë ‘gropa septike’ që e qelbin dhe e kalbin shoqërinë e këtushme shqiptare, se si të tillë ata nuk mund të jenë asgjë më shumë se vasalë besnik të sunduesve maqedonas, se të frikuar nga e vërteta për vetveten, ata sot merren me zbulimin e keqpërdorimeve që bëjnë redaktorët, recenzentët, shkrimtarët, shtëpitë botuese…, si dhe familjarët e mi, të cilët guxojnë të punojnë për të mbijetuar, në vend që të ulen te Ura e Gurit në Shkup e të kërkojnë lëmosh, me çka do e dëshmonin ‘pavarësinë’ time?!”, thuhet në postimin e Kim Mehmetit./TVShenja