Kim Mehmeti: Me 14 shkurt Kosova duhet ta mbyllë gropën septike me pisllëqet e zhvatësve të saj!

Disa qarqeve politike në Prishtinë siç duket u është harxhuar ‘municioni’ dhe nuk kanë më me çka ta ‘godasin’ Lëvizjen Vetëvendosje, andaj kanë filluar ta akuzojnë për qëndrimet e saja pro – palestineze, të publikuar para shumë vitesh në faqen e saj zyrtare të FB!

Dhe tani ecë e kupto se çka ka të turpshme të jesh solidar me një popull që e dëshiron lirinë e vet, se çka ka të dëmshme për shqiptarinë kur tregon dhembshuri ndaj fëmijëve që nuk mund ta jetojnë pafajësinë e vet?!

Sidoqoftë me 14 shkurt Kosova do duhet ta mbyll kapakun e gropës septike që e ‘qelbi’ atë, gropë ku dy dekada me radhë u derdhën pisllëqet e zhvatësve të saj, e të cilët zhvatës sot kanë mbet vetëm me një grusht ‘properëndimorësh’ që nuk e kuptojnë se mirënjohje e jonë e përjetshme ndaj popullit amerikan, me asgjë nuk e kushtëzon solidaritetin tonë me cilëndo viktimë në këtë rruzull tokësor, përfshi edhe fëmijët e pafajshëm palestinez!

Por të mos bëhemi naiv: anti – islamizmi te ne prej moti është ‘biznes’ shumë profitabil. Pastaj te ne mund të bëhesh ‘intelektual’ dhe vlerë kombëtare vetëm duke i sharë e ofenduar të pambrojturit, ata që për dallim nga i forti dhe i pasuri, nuk mund të kërkojnë përgjegjësi për fyerjen që ua bënë.

Sidoqoftë duhet thënë se këta që sot me aq vullnet e mbrojnë Perëndimin nga VV, në të vërtet janë përçarësit më të rrezikshëm të shqiptarisë, sepse properëndimoren ata e kanë barazuar me çdo gjë që mund t’ua mbush xhepat!

Siç duhet thënë se nuk ka interes më madhorë njerëzor se të jesh nga ana e pafajësisë dhe e viktimës, bile edhe atëherë kur e dinë se i takon një populli të vogël, i cili me asgjë nuk mund të ndikojë e t’i ndryshojë rrjedhat globale, por që mund ta ndryshojë vetveten, që mund të bëhet më i ndjeshëm ndaj dhembjes njerëzore, që mundë të dëshmojë se ka zemër mjaftueshëm të madhe sa për ta përfshi në të dashurinë dhe dhembshurinë për të gjithë fatkeqët e kësaj bote, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike e fetare.

Më në fund, ai që shkaku i interesit të vet, aq është verbëruar e shurdhuar, sa nuk i sheh as plagët e tjetrit, e as i dëgjon piskamat e fatkeqit, me asgjë nuk e meriton keqardhjen e të tjerëve dhe, me asgjë nuk ndryshon nga ata që shkelin mbi gjakun dhe fatin e të pambrojturve!