Këshilltarët e FDA-së: Njerëzit nuk kanë besim tek vaksinat Covid-19

Këshilltarët e vaksinave në Administratën Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA), thanë, të enjten, se janë të shqetësuar për mosbesimin e publikut te vaksinat e koronavirusit, sidomos në një proces të përshpejtuar aprovimi, shkruan Cnna2.

Takimi i Komitetit Këshillues të Vaksinave dhe Produkteve Biologjike të Fokusuara në Covid-19, nxorri në pah shqetësimin se njerëzit do ta shohin autorizimin e përdorimit emergjent të një vaksine anti-Covid, si shumë të nxituar.

FDA ka thënë se do të konsideronte një përdorim urgjent, për ndonjë nga disa vaksinat që tani janë në prova të përparuara klinike. Një proces ky më i shpejtë se licensimi i plotë, por gjithashtu ka premtuar se do të ketë kërkesa më të rrepta për një vaksinë të tillë sesa do të kishte për një ilaç për të trajtuar koronavirusin.

“Pra, gjithçka që tingëllon si autorizim i përdorimit emergjent, tingëllon sikur po bëhet me nxitim dhe nuk është rishikim i plotë,” tha Sheldon Toubman, i cili është përfaqësuesi i konsumatorit në komision. “Unë rekomandoj që të mos bëjmë këtë këtu”, shtoi ai.

Disa ekspertë të vaksinave ranë dakord me idenë e tij.

“Është shumë e qartë që publiku ka shqetësime të rëndësishme në lidhje me sigurinë e vaksinave”, shtoi dr. Archana Chatterjee, zëvendëspresident për Çështjet Mjekësore në Universitetin Rosalind Franklin dhe një anëtar i komitetit.